Bozhinovska për turbinën me erë në Shtip: Sinjal i fuqishëm për investime të qëndrueshme dhe tranzicion të gjelbër
- – Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska përmes një video paraqitje e përshëndeti fillimin e ndërtimit të parkut me erë në Shtip, investim i “Alkaraz energji partners” në vlerë prej 500 milionë dollarë.
- Post By Fitore Curri
- 18:13, 16 korrik, 2025
Shkup, 16 korrik 2025 (MIA) – Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska përmes një video paraqitje e përshëndeti fillimin e ndërtimit të parkut me erë në Shtip, investim i “Alkaraz energji partners” në vlerë prej 500 milionë dollarë.
“Kjo Qeveri e ka vendosur energjetikën si shtyllë të zhvillimit. Dhe ne nuk do të ndalemi derisa ta transformojmë Maqedoninë në një qendër rajonale për energjinë e rinovueshme. Si ministre e Energjetikës, me krenari mbështes çdo hap që çon drejt këtij qëllimi. Investimet në erë, diell, ujë janë ura drejt stabilitetit ekonomik, tranzicionit të gjelbër dhe vendeve të reja të punës për qytetarët e Maqedonisë. Ky investim ndërton mundësi për të rinjtë, kapacitete industriale për të gjithë vendin dhe siguri energjetike për shumë familje”, thekson Bozhinovska.
Sipas Bozhinovskës, çdo investim i tillë është dëshmi se institucionet në vend janë partner i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për investime dhe se vendi shihet si i qëndrueshëm për investime afatgjate.
Investimi i sotëm, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Energjetikës, sjell përfitim të shumëfishtë: energji të pastër dhe të qëndrueshme, emetime të ulura të karbonit, fatura më të ulëta për rrymë dhe hapjen e pesëdhjetë vendeve të reja të punës në fazën e ndërtimit dhe edhe më shumë në funksionim.
“Ministria e Energjetikës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projekteve të ngjashme dhe pret mundësi investimi shtesë për energjetikë të gjelbër dhe inovative, të cilat do të sjellin përfitime afatgjate për qytetarët, ekonominë dhe gjeneratat e ardhshme”, thonë nga Ministria.
Parku me erë, të cilin do ta ndërtojë kompania “Alkaraz Energji”, do të shtrihet në sipërfaqe prej 326 hektarë. Projekti duhet të zhvillohet në faza, ndërsa parku me erë do të punojë prej 25 deri 30 vjet. fc/
Foto: Ministria e Energjetikës