• e premte, 05 dhjetor 2025

Bozhinovska për MIA-n: Nga koncesionet në gjashtë muajt e parë janë arkëtuar mbi 500 milionë denarë, qëllimi ynë është të vendosim standarde evropiane dhe e di se do të kemi sukses në këtë

Bozhinovska për MIA-n: Nga koncesionet në gjashtë muajt e parë janë arkëtuar mbi 500 milionë denarë, qëllimi ynë është të vendosim standarde evropiane dhe e di se do të kemi sukses në këtë

Shkup, 12 tetor 2025 (MIA) - Me rritjen e kompensimeve për koncesione për gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale realizoi arkëtim prej mbi 500 milion denarë, që është sukses historik dhe është dyfishi i shumës së arkëtuar në krahasim me vitin 2024. Nga ana tjetër, duke forcuar kontrollet e inspektimit, synojmë të vendosim standarde evropiane dhe e di që do të kemi sukses në këtë. Prioritetet mbeten të qarta: rend, transparencë dhe përgjegjësi në menaxhimin e burimeve energjetike dhe minerare, shprehet në intervistën për MIA-n ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska.

"Që në fillim e kam bërë të qartë se do të vendosim rend në sistemin e koncesioneve. Kjo do të thotë se kushdo që i është dhënë e drejta e përdorimit të burimit shtetëror duhet të përmbushë detyrimet, pa përjashtim. I rritëm kompensimet për koncesionet e minierave – masë kjo që nuk është bërë prej vitesh – dhe vendosëm sistem të ri kontrolli dhe arkëtimi. Shifrat konkrete tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Ministria realizoi arkëtim prej mbi 500.000.000 denarë, që është sukses historik. Sa për krahasim, kjo është dyfishi i shumës së arkëtuar në krahasim me vitin 2024. Çdo denarë i arkëtuar nga koncesionet do të përdoret për interesin publik – për sigurinë, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zhvillimin e bashkësive lokale", shprehet ministrja Bozhinovska.

Ajo me këtë rast sqaron se shuma që deri tani e kanë paguar koncesionarët ka qenë një nga më të ulëtat në krahasim me nivelin e Evropës dhe për këtë arsye shprehet se nuk paraqet kurrfarë barre për konkurrueshmërinë e subjekteve që punojnë në këtë industri në vend.

"Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme për mua që pjesa më e madhe e mjeteve të mbledhura mbi këtë bazë përfundojnë në buxhetet e komunave ku ndodhen minierat. Ato para nuk do të përdoren për burokraci dhe administratë, por në pjesën më të madhe do të përdoren për nevojat e njerëzve, për projekte që do ta bëjnë jetën e tyre drejtpërdrejt më të lehtë, pavarësisht bëhet fjalë për park, rrugë apo kopsht të ri për fëmijët", bën të ditur Bozhinovska.

Ajo gjithashtu theksoi se Ministria ka kryer tashmë revizion të të gjitha koncesioneve aktive dhe ka përcaktuar se disa prej tyre nuk janë në përputhje me rregulloret ligjore, prandaj janë ndërprenë mbi 45 koncesione.

"Qëllimi ynë nuk është sanksioni me çdo kusht, por kthimi i parimit të përgjegjësisë dhe respektimit të interesit shtetëror. Vendosëm rend në mënyrë që të krijojmë kushte korrekte për punë. Ky është parakusht për vendosjen e standardeve evropiane dhe shpresës për rritjen e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik në këtë sektor", theksoi ministrja e Energjetikës.

Bozhinovska konfirmon se me miratimin e Ligjit të ri të Energjetikës, është rritur interesi për investime nga kompanitë vendore dhe ato të huaja. Tashmë kanë paralajmërime për investime të reja në burimet e ripërtërishme – elektrocentralet diellore dhe të erës.

"Qëllimi është që Maqedonia të jetë partner i besueshëm për investitorët, me rregulla të qarta dhe treg funksional energjetik", tha ajo.

Njëherësh, thekson se Ministria po vendos rend në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike duke përpiluar për herë të parë Plan vjetor për zhvillimin e sistemit energjetik, i cili i përcakton prioritetet për objektet e reja, forcimin e rrjeteve dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike. Deri më 1 tetor, theksoi ajo, ata kanë marrë mbi 200 nisma për vitin 2026, gjë që siguron orientim strategjik për investime dhe siguri juridike për investitorët.

Bozhinovska thekson se vendi ka rol aktiv edhe në iniciativat rajonale dhe evropiane dhe janë të përkushtuar në forcimin e diplomacisë energjetike.

Në këtë kontekst, ajo thekson rëndësinë e Forumit Ndërkombëtar të Energjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm (IFESD-14), që, në organizim të Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave dhe UNDP-së, do të mbahet në Shkup nga 28 deri më 30 tetor, e në të cilin deri më tani kanë paralajmëruar pjesëmarrjen mbi 70 vende dhe më shumë se 300 delegatë.

"Forumi është platformë për bashkëpunim aktiv rajonal dhe ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve dhe promovimin e kornizës së qëndrueshme rregullatore që e kemi krijuar. Forumi është pjesë e strategjisë më të gjerë të Ministrisë për të rritur dukshmërinë e Maqedonisë në sektorin energjetik, për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të hapur mundësi të reja për investime vendore dhe të huaja", nënvizon Bozhinovska.

Në intervistë, ministrja Bozhinovska, ndër të tjera, iu referua nismës për të mbrojtur rubinin maqedonas si thesar kombëtar – simbol, por edhe burim me potencial të rëndësishëm ekonomik, me qëllim të rregullimit të gëmimit dhe tregtisë së tij.

1. Ministre Bozhinovska, menjëherë pas marrjes së postit, paralajmëruat se kontrolli mbi koncesionet do të jetë një nga prioritetet tuaja. I keni rritur kompensimet për koncesionet, diçka që nuk është bërë prej vitesh. A paguajnë koncesionarët rregullisht dhe çfarë është bërë konkretisht deri më tani?

Që në fillim e kam bërë të qartë se do të vendosim rend në sistemin e koncesioneve. Kjo do të thotë se kushdo që i është dhënë e drejta e përdorimit të burimit shtetëror duhet të përmbushë detyrimet, pa përjashtim. I rritëm kompensimet për koncesionet e minierave – masë kjo që nuk është bërë prej vitesh – dhe vendosëm sistem të ri kontrolli dhe arkëtimi. Shifrat konkrete tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Ministria realizoi arkëtim prej mbi 500.000.000 denarë, që është sukses historik. Sa për krahasim, kjo është dyfishi i shumës së arkëtuar në krahasim me vitin 2024. Çdo denarë i arkëtuar nga koncesionet do të përdoret për interesin publik – për sigurinë, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zhvillimin e bashkësive lokale.

Duhet të theksoj se shuma e paguar deri tani nga koncesionarët është një nga më të ulëtat krahasimisht, në nivel të Evropës. Nga kjo pikëpamje, ajo nuk paraqet asnjë barrë në konkurrueshmërinë e subjekteve që punojnë në këtë industri në Maqedoni.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme për mua që pjesa më e madhe e mjeteve të mbledhura mbi këtë bazë përfundojnë në buxhetet e komunave ku ndodhen minierat. Ato para nuk do të përdoren për burokraci dhe administratë, por në pjesën më të madhe do të përdoren për nevojat e njerëzve, për projekte që do ta bëjnë jetën e tyre drejtpërdrejt më të lehtë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për park, rrugë apo kopsht të ri për fëmijët.

Përveç kësaj, Ministria ka kryer revizion të të gjitha koncesioneve aktive dhe ka konstatuar se disa prej tyre nuk janë në përputhje me rregulloret ligjore. Për shkak të kësaj, janë ndërprerë mbi 45 koncesione. Qëllimi ynë nuk është sanksioni me çdo kusht, por kthimi i parimit të përgjegjësisë dhe respektimit të interesit shtetëror.

Vendosëm rend në mënyrë që të krijojmë kushte korrekte për punë. Ky është parakusht për vendosjen e standardeve evropiane dhe shpresës për rritjen e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik në këtë sektor.

2. Keni paralajmëruar edhe vendosjen e kontrolleve të forcuara të inspektimit në sektorin. A funksionojnë tashmë ato dhe me çfarë rezultatesh?

- Që nga fillimi i vitit, deri më 1 tetor janë kryer 170 mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe 78 të rregullta inspektuese, ndërsa do të vendosen kritere shumë më të rrepta për lëshimin dhe monitorimin e koncesioneve të reja. Çdo investitor që respekton ligjet nuk ka pse të ketë drojë – përkundrazi, merr mbështetje dhe siguri në punën e tij. Por ata që abuzojnë sistemin duhet ta dinë se shteti do të reagojë menjëherë.

Gjithashtu, për herë të parë, koncesionet janë dhënë për një periudhë më të shkurtër, pra për periudhë 7 ose 8 vjeçare, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani, respektivisht të gjitha koncesionet janë dhënë për periudhë maksimale prej 20, 30 vjetësh. Ne e ndryshojmë këtë, ndërsa me qëllim që të nxisim përgjegjësinë e kompanive, sepse 7, 8 vjet nuk janë asgjë në këtë sektor dhe nëse ata duan të zgjasin koncesionin, ata do të dinë se duhet të punojnë në përputhje me ligjin, por edhe me përgjegjësi. Ata do të duhet të respektojnë rregullat dhe të investojnë në mënyrë adekuate. Qëllimi është vendosja e rendit dhe rregullave të qarta. Kur sektori është i rregullt dhe juridikisht i sigurt, investitorët janë të motivuar të investojnë dhe shteti merr të ardhura të qëndrueshme dhe mbrojtje të burimeve. Përveç kësaj, të gjithë kanë kushte të njëjta pune. Nuk do të ketë asnjë të mbrojtur ose të privilegjuar.

Gjithashtu “do të bëhen publike të gjitha koncesionet”, transparenca dhe llogaridhënia janë baza e politikës së re që vendosim. Të gjitha koncesionet e dhëna janë publikuar tashmë në faqen e internetit të Ministrisë, ndërsa regjistri i koncesioneve të revokuara është në fazën përfundimtare, gjë që gjithashtu do të jetë e arritshme publikisht.

Qëllimi ynë është të vendosim standarde evropiane. E di që do të kemi sukses në këtë.

3. Në vitin e parë të mandatit tuaj, filluat fuqishëm në disa fronte - burimet e ripërtëritshme të energjisë, tranzicioni energjetik, por edhe stabilizimi i gjendjes në sektorin energjetik. Ju keni theksuar disa herë se prioriteti juaj është përmirësimi i infrastrukturës në energjetikë. Cili është fokusi në këtë periudhë dhe a ka tashmë interes nga investitorët vendor dhe të huaj për investime të reja?

- Me miratimin e ligjit të ri të energjetikës, shohim rritje të interesit për investime nga kompanitë vendore dhe të huaja. Kemi paralajmërime për investime të reja në burimet e ripërtërishme – elektrocentralet diellore dhe të erës. Qëllimi është që Maqedonia të jetë partner i besueshëm për investitorët, me rregulla të qarta dhe treg funksional energjetik.

Po vendosim rendin në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike: për herë të parë po përgatitet Plan vjetor për zhvillimin e sistemit energjetik, i cili përcakton prioritetet për objektet e reja, forcimin e rrjeteve dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike. Deri më 1 tetor kemi marrë mbi 200 nisma për vitin 2026, gjë që siguron orientim strategjik për investime dhe siguri juridike për investitorët.

Maqedonia ka rol aktiv në iniciativat rajonale dhe evropiane. Kemi forcuar diplomacinë energjetike, bashkëpunojmë rregullisht me partnerët dhe fqinjët ndërkombëtarë, gjë që rrit pavarësinë tonë energjetike. Filloi ndërtimi i interkonjeksionit drejt Greqinë, bisedimet janë duke u zhvilluar me Serbinë për të përfunduar pjesën tonë të interkonjeksionit të gazit dhe kemi përshpejtuar projektin e interkonjeksionit energjetik me Shqipërinë.

Sa i përket diplomacisë energjetike, Forumi Ndërkombëtar për Energji për Zhvillim të Qëndrueshëm (IFESD-14), i organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave dhe UNDP, do të mbahet në Shkup nga 28 deri më 30 tetor. Deri më tani, ka pjesëmarrës nga mbi 70 vende dhe më shumë se 300 delegatë.

Forumi është platformë për bashkëpunim aktiv rajonal dhe ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve dhe promovimin e kornizës së qëndrueshme rregullatore që e kemi krijuar. Forumi është pjesë e strategjisë më të gjerë të Ministrisë për të rritur dukshmërinë e Maqedonisë në sektorin energjetik, për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të hapur mundësi të reja për investime vendore dhe të huaja.

Уште во март како Влада и Министерство за економија заедно со Регулаторната комисија за енергетика и водни услуги (РКЕ) ги информиравме Управата за јавни приходи (УЈП) и Финансиската полиција

4. Infrastruktura është shpesh e vjetër dhe e paqëndrueshme. Si planifikoni të modernizoni rrjetin dhe të parandaloni ndërprerjet?

Rrjeti elektroenergjetik është themeli i furnizimit të sigurt. Prandaj, planifikojmë masa paralele – rindërtimin e pjesëve të vjetra të rrjetit, digjitalizimin e sistemeve, vendosjen e ruajtjes së baterive dhe koordinimin e forcuar me operatorët.

Është duke u zhvilluar përgatitja e Grid Master Plan, i cili do të paraqesë në mënyrë të detajuar gjendjen e rrjetit tonë elektroenergjetik dhe do të tregojë se ku, si dhe me çfarë intensiteti duhet të ndërhyhet. Ky është një dokument që do të mundësojë planifikim të qartë të investimeve të ardhshme, të bazuar në nevojat dhe kapacitetet reale të sistemit.

Njëherësh, investohet në ndërtimin dhe modernizimin e stacioneve të reja të transformatorëve, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe stabilitetit më të madh në furnizim. Disa nga stacionet ekzistuese janë 20 ose 30 vjeç dhe nuk korrespondojnë më me konsumin aktual të energjisë elektrike, që po rritet vazhdimisht.

Nëse duam të mundësojmë përfshirjen e burimeve të ripërtërishme të energjisë në sistem, duhet të ndërhyjmë në rrjetin – ai duhet të jetë i qëndrueshëm, modern dhe i sigurt. Qëllimi ynë është të mos lejojmë skenarë siç pamë në disa vende evropiane, siç është ndërprerja e energjisë në Spanjë, ku stabiliteti i pamjaftueshëm i rrjetit shkaktoi ndërprerje serioze.

Lidhur me projektet afatshkurtra, planifikojmë që deri në fund të vitit të përfundojmë rindërtimin e linjës elektrike 110 kV Manastir 1 – Prilep 1. Lidhur me ndërlidhjen e 400 kV Manastir-Elbasan, kontrata me kontraktorin ekzistues është ndërprerë dhe është duke u zhvilluar procedurë e ritenderimit, dhe shpresojmë që në tremujorin e katërt të zgjidhet kontraktues dhe do të vazhdojmë të punojmë. Vazhdojmë edhe me ndërtimin e stacionit transformatorësh 400/110 kV në Ohër, me ç'rast presim që deri vitin e ardhshëm ai të përfundojë dhe të jetë gati për t'u lidhur me interkonjeksionin e ri. Sipas marrëveshjes, presim që reaktori në stacionin e transformatorëve të Dubrovës të hyjë në përdorim në vitin 2026, gjë që do të mundësojë stabilizimin e tensionit në rrjetet e tensionit të lartë në të gjithë shtetin.

Përveç kësaj, po përgatitemi të fillojmë projektin për të forcuar korridorin 110 kV nga Manastiri në Gostivar, i cili financohet nga vetë fondet e MEPSO-s. MEPSO fillon edhe procesin për instalimin e sistemit të ri SCADA në Qendrën Kombëtare të Dërgimit, të mbështetur nga instalimet e standardizuara të BCU dhe RTU në stacionet e transformatorëve. Në kuadër të këtij aktiviteti kemi dorëzuar aplikim në WBIF për ndihmë teknike për zhvillimin e platformës së re digjitale SCADA.

Gjithashtu, përmes mekanizmit WBIF, siguruam mbështetje teknike për projektin në pjesën jugperëndimore të vendit, që përfshin përmirësimin dhe rritjen e kapacitetit të interkonjeksionit ekzistuese midis Manastirit dhe Florinës, konceptin e një nënstacioni digjital në TS Manastir 1 dhe TS Sopotnicë, vendosjen e teknologjisë së Dynamic Line Rating (DLR) në korridoret kritike, si dhe rindërtimin dhe rritjen e kapacitetit 110 kV të korridorit nga Struga deri në Shkup. Për këto aktivitete janë parashikuar studime fizibiliteti, të cilat duhet të fillojnë në nëntor.

Në periudhë afatmesme, fokusi i MEPSO-s është rritja e kapacitetit të transmetimit në Maqedoninë juglindore. Kjo përfshin ndërtimin e stacionit të ri transformatori 400/110 kV në Miletkovë dhe rindërtimin e korridorit 110 kV nga Valandova në Strumicë. Ndërtimi i qendrave të tilla do të mundësojë integrimin më të mirë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Përveç kësaj, ne nënshkruam marrëveshje granti me AFD, sipas së cilës RTE International do të sigurojë mbështetje teknike për inxhinierët tanë dhe do të zhvillojë projekt të përbashkët pilot për digjitalizimin e trafonënstacionit 110 kV në pjesën lindore të vendit.

Duke marrë parasysh përpjekjet e Qeverisë për të pozicionuar Maqedoninë si nyje energjetike, MEPSO është përfshirë në mënyrë aktive në nismën Lindje-Perëndim, në bashkëpunim me operatorët e sistemit të transmetimit të Turqisë, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës dhe Shqipërisë, me të cilën do të analizojmë mundësinë e ndërlidhjeve shtesë 400 kV me Bullgarinë dhe Kosovën, gjë që do të lejojë rritje të mëtejshme të kapacitetit të transmetimit të korridorit Lindje-Perëndim. Si fazë e parë e forcimit të Lindje-Perëndim, përmes WBIF kemi aplikuar edhe për një projekt të një linje të re interkonjeksioni 400 kV Prizren-Tetovë-Shkup.

Inteligjenca artificiale po fiton një rol në rritje në optimizimin e funksionimit të sistemeve energjetike — nga parashikimet e përmirësuara të motit dhe balancimi i optimizimit deri te mirëmbajtja parashikuese dhe reduktimi i humbjeve. Përmes komitetit për hulumtim dhe zhvillim të ENTSO-E, planifikojmë pjesëmarrje aktive në projekte hulumtuese pan-evropiane.

Një fushë tjetër prioritare është përparimi në integrimin e tregut: ne presim që lidhja e tregut me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën të zbatohet plotësisht deri në vitin 2027, duke krijuar kështu një treg të unifikuar rajonal që do të rrisë fleksibilitetin dhe kapacitetin për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

5. Një nga risitë është vendosja e sistemeve të baterisë për magazinimin e energjisë. Sa interes ka dhe kur mund të presim projektet e para në këtë fushë?

- Sistemet e baterive janë e ardhmja e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. Tashmë ka interes konkret nga kompanitë shtetërore dhe private, si dhe partnerët ndërkombëtarë. Ligji i ri i Energjetikës vendos detyrim për magazinimin e energjisë elektrike për prodhuesit e rinj nga burimet e ripërtërishme, si dhe për EMV-në shtetërore.

Ligji parashikon që termocentralet të instalojnë objekte magazinimi me kapacitet 20 për qind të fuqisë dhe kapacitetit të instaluar për një cikël minimal prej dy orësh karikimi dhe shkarkimi, gjë që garanton stabilitetin e sistemit me një pjesë më të madhe të burimeve të ripërtëritshme.

Gëzon interesimi i madh i investitorëve për ndërtimin e sistemeve të veçanta të baterive. Është një nga mënyrat e dukshme për të balancuar më lehtë ofertën dhe kërkesën e energjisë elektrike, e si rrjedhojë edhe çmimin e saj. Por, asgjë nga kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishim rregulluar, para së gjithash, kornizën ligjore dhe institucionale.

Në kuadër të Planit vjetor të zhvillimit të sistemit energjetik, në mesin e mbi 200 iniciativave të marra janë projekte për kapacitete të veçanta të baterive, gjë që tregon se investitorët e njohin rëndësinë dhe potencialin e kësaj teknologjie. Sistemet e baterive do të sigurojnë fleksibilitet, besueshmëri dhe stabilitet të sistemit energjetik, veçanërisht gjatë lëkundjeve në prodhim nga burimet e ripërtëritshme.

6. Cili është rreziku më i madh për vendin nëse nuk zbatohet tranzicioni energjetik?

- Nëse nuk zbatojmë tranzicionin energjetik, rrezikojmë të humbasim gjithçka që kemi arritur deri më tani. Kjo do të thotë rritje e varësisë energjetike, çmime të paqëndrueshme, humbje të konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë dhe, natyrisht, më shumë ndotje.

Tranzicioni energjetik nuk është vetëm një agjendë evropiane – është kusht për qytete të shëndetshme, rritje të qëndrueshme dhe të ardhme të sigurt. Nëse e neglizhojmë, do të paguajmë çmim shumë më të lartë – ekonomik, ekologjik dhe social

Nuk ka status kuo, nëse nuk përshtatemi me politikat dhe rregullat e reja evropiane, atëherë nuk ngecim, atëherë kthehemi prapa. Nëse me të vërtetë duam të integrohemi në Evropë, të paktën ta tregojmë atë në veprim, në aspektin ku nuk do të dëmtojmë qytetarët, por do t'i ndihmojmë ata të jetojnë në kushte më të mira.

7. Ligji për efikasitet energjetik është një nga hapat kryesorë në tranzicionin. Ku jemi me zbatimin e tij dhe çfarë do të sjellë në praktikë?

- Për herë të parë në Maqedoni, ne kemi miratuar një Ligj të veçantë për Efikasitet Energjetik – një dokument që përcakton standarde të qarta evropiane dhe vendos efikasitetin energjetkë në rend të parë në të gjitha politikat. Me të, fillojmë një fazë të re të tranzicionit të gjelbër – me konsum më të ulët, fatura më të ulëta dhe energji më të mirë.

Ligji sjell detyrimin për rikonstruksionin e të paktën 3 për qind të ndërtesave publike çdo vit, që nënkupton qasje sistemore dhe përmirësim të vazhdueshëm të kushteve në shkolla, kopshte, spitale dhe objekte administrative. Maqedonia gradualisht duhet të restaurojë dhe modernizojë infrastrukturën publike, ndërsa ky proces ka filluar tashmë.

Gjatë ndërtimit ose rikonstruksionit të konsiderueshëm të shkollave, kopshteve dhe institucioneve të tjera publike, do të instalohen kolektorë diellorë të ujit të ngrohtë, aty ku teknikisht dhe ekonomikisht është e mundur. Paralelisht, në institucionet publike vendosen kolektorë diellorë, masa për të mbështetur financiarisht projekte me efikasitet energjetik, si dhe mjet digjital për të monitoruar kursimet dhe rezultatet. Institucionet publike do të jenë të detyruara të prokurojnë produkte, automjete dhe ndërtesa me standardet më të larta energjetike dhe ekologjike.

Të gjitha certifikatat e karakteristikave energjetike të ndërtesave do të regjistrohen detyrimisht në Kadastrën e pasurive të patundshme. Progresi lokal përmes bashkëpunimit ndërkomunal, komunat me më pak se 15.000 banorë do të mund të zhvillojnë së bashku programe të efikasitetit energjetik. Vetëm komuna me një program të miratuar do të kenë qasje në Fondin e Efikasitetit Energjetik. Këto janë vetëm disa nga lajmet që i miraton ky ligj. Përveç kësaj, në Ministri kemi sektor të veçantë të efikasitetit energjetik, puna e të cilit është e përqendruar në këtë problematikë.

8. A jeni të gatshëm për vendime jopopullore për të mbrojtur sigurinë energjetike të shtetit?

- Po, gjithmonë. Vendimet jopopullore shpesh janë më të përgjegjshmet. Detyra ime është të mbroj shtetin dhe qytetarët, edhe kur kjo nënkupton marrjen e vendimeve të vështira.

Nuk ka vend për improvizim në energjetikë. Kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike, interesi i shtetit duhet të jetë gjithmonë mbi gjithçka – mbi politikën, mbi presionet dhe mbi interesat individuale. Për shembull gjatë festave të Pashkëve, kur rrjeti ishte i mbingarkuar dhe ekzistonte rreziku i ndërprerjeve për shkak të sasisë së madhe të energjisë së grumbulluar nga burimet e ripërtëritshme. Për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit, ne kemi miratuar një masë jopopullore, por të nevojshme – shkëputjen e përkohshme të një pjese të burimeve të ripërtëritshme nga rrjeti. Ky vendim ishte i vështirë, por vendimtar për të parandaluar çrregullime dhe dëmtime, dhe për të siguruar furnizim të papenguar për të gjithë qytetarët dhe institucionet.

Sigurisht, ne në Ministrinë punojmë vazhdimisht në komunikim me ekspertë dhe institucione. Vendimet nuk merren nga individë, ne marrim vendime së bashku bazuar në standarde të qarta dhe të dukshme.

9. Ju keni publikuar iniciativë për mbrojtjen e rubinit maqedonas. Çfarë po bëni konkretisht për të mbrojtur dhe shfrytëzuar në mënyrë racionale këtë thesar natyror?

- Rubini maqedonas është thesar kombëtar – simbol, por edhe burim me potencial të konsiderueshëm ekonomik. Sot, për fat të keq, ky mineral i rrallë nxirret shpesh në mënyrë të pakontrolluar dhe pa lajmërim, sepse shfaqet si nënprodukt i minierave të mermerit, pa evidencë ose mbrojtje përkatëse. Pikërisht për këtë arsye, inicova nismën për mbrojtjen, rregullimin e gërmimit dhe tregtimit të tij.

Në një takim të përbashkët me Entin Gjeologjik dhe Entin e Pronësisë Industriale, u përcaktuan hapa konkretë – nga analiza juridike dhe përcaktimi i kritereve të eksploatimit, deri në përgatitjen e propozimit për njohje dhe mbrojtje zyrtare.

Qëllimi është që rubini të mbetet maqedonas – të përdoret në mënyrë racionale dhe të përgjegjshme, ndërsa përfitimet të ndjehen nga qytetarët dhe bashkësitë lokale. Ndryshe, është e vetmja në Evropën kontinentale që nxirret dhe përpunohet me duar, ka një ngjyrë karakteristike mjedër-rozë dhe gjendet ekskluzivisht në afërsi të Prilepit dhe Mariovës.

10. Cilat janë prioritetet tuaja në periudhën e ardhshme? Ku e shihni shtetin në hartën energjetike të Ballkanit në pesë vitet e ardhshme?

- Prioritetet mbeten të qarta: rendi, transparenca dhe përgjegjësia në menaxhimin e burimeve energjetike dhe minerare. Do të vazhdojmë me reformat në sistemin koncesionar, do të finalizojmë modele të reja për investime në burime të ripërtëritshme dhe do të sigurojmë që çdo denar nga burimet shtetërore të përfundojë aty ku duhet – për të mirën e qytetarëve. Vizioni ynë është i thjeshtë, por thelbësor: sistem i besueshëm, stabil dhe i qëndrueshme energjetik për brezat e ardhshëm.

Për pesë vitet e ardhshme, unë e shoh Maqedoninë si qendër të qëndrueshme dhe moderne energjetike të rajonit. Me një fokus të fortë në burimet e ripërtëritshme, infrastrukturë të zhvilluar dhe sistem për magazinimin e energjisë, shteti do të jetë partner i sigurt në tregjet rajonale energjetike. Qëllimi është që të zvogëlohet importi, por të bëhemi edhe eksportues neto të energjisë elektrike, në vitet e ardhshme e shoh Maqedoninë si qendër stabile dhe moderne energjetike të rajonit. Me një fokus të fortë në burimet e ripërtëritshme, infrastrukturën e zhvilluar dhe sistemet e magazinimit të energjisë, shteti do të jetë partner i besueshëm në tregjet rajonale energjetike.

Vizioni ynë është i qartë – më shumë prodhim vendor, më pak importe, çmime të qëndrueshme dhe energji të pastër. Maqedonia ka potencial, ka profesionistë dhe drejtim të qartë – formulë për të ardhme energjetike për të cilën mund të jemi krenarë.

Violeta Gerov

Foto: Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale

QËNDRONI TË LIDHUR