• e hënë, 23 dhjetor 2024

Borel: Paqja në Lindjen e Afërt është e mundur vetëm me proces gjithpërfshirës për zgjidhje me dy shtete

Borel: Paqja në Lindjen e Afërt është e mundur vetëm me proces gjithpërfshirës për zgjidhje me dy shtete

Bruksel, 22 janar 2024 (MIA) - Ne e dimë se kush është Hamasi dhe çka bëri dhe e dënuam këtë, por paqe dhe qëndrueshmëri nuk mund të ndërtohen me përdorimin e mjeteve luftarake dhe jo në mënyrën në të cilën këtë e bën Izraeli, deklaroi sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borel para fillimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, në të cilin tema kryesore janë situata në rajonin e Lindjes së Afërt dhe agresioni rus ndaj Ukrainës. 

"Do të flasim për qasje gjithpërfshirëse. Mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për proces paqësor dhe të fillojmë të bisedojmë konkretisht për proces me zgjidhje për dy shtet. Paqja mund të ketë shumë pjesë të ndryshme. Për çfarë paqe bisedojmë? Për këtë na lini të bisedojmë për atë që duam ta bëjmë. Nëse duam zgjidhje me dy shtete, të bisedojmë për këtë", tha Boreli. 

Sipas tij, siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, është me rëndësi si do të quhen punët dhe për këtë prej tani nuk do të flasë për proces paqësor, por për proces për zgjidhje me dy shtete në të cilin duhet të përfshihen të gjitha palët, në mesin e të cilave edhe Hamasi. 

"E di që është e vështirë, por duhet të bisedojmë me botën arabe. Detyrimi ynë moral është që të bëjmë çmos, që të bëjmë përpjekje që të arrijmë zgjidhje. Për këtë prej tani do të flasim për proces për zgjidhje me dy shtete", theksoi Boreli. 

Ai shtoi se edhe BE-ja dhe KB-ja e dinë se Izraeli nuk e pranon zgjidhjen për dy shtete, por, siç tha, "edhe pse nuk pajtohemi, duhet të bisedojmë". 

"Do të flasim që të dëgjojmë se çfarë zgjidhje kanë. T'i dëbojnë të gjithë palestinezët? T'i vrasin? Tashmë janë vrarë 25.000 në Gazë, prej të cilëve 70 për qind janë gra dhe fëmijë. Atë që e bëjnë nuk është mënyrë që të shkatërrohet Hamasi, ata vetëm krijojnë urrejtje për gjeneratat e ardhshme", tha Boreli. 

Ai vlerësoi se Këshilli i sotëm i Punëve të Jashtme është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse në asnjë nga mbledhjet e tij nuk ka pasur mysafirë kaq të rëndësishëm në rrethana kaq dramatike, duke kujtuar se krerët e diplomacisë evropiane do të kenë më pas bisedime të veçanta me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Israel Kac, pastaj me homologët e tyre nga Arabia Saudite, Fajsal bin Farhan Al Saud, nga Egjipti, Sameh Shukri dhe nga Jordania, Ajman Safadi, dhe nga sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së shteteve arabe, Ahmed Abul Geit dhe së fundi, nga ministri i punëve të jashtme të administratës autonome palestineze, Rijad al Maliki. 

"Sot këtu do t'i dëgjojmë të gjithë faktorët, të gjitha vendet të cilat janë goditur drejtpërdrejtë nga situata në Gazë", shtoi Boreli. 

Ai theksoi se për situatën humanitare në Rripin e Gazës, ministrat evropianë drejtpërdrejtë do të informohen nga koordinatorja e re e KB-së për Gazën, Zigrit Kag. 

"Situata humanitare nuk mund të jetë më e keqe. Nuk ka fjalë me të cilat mund të sqarohet situata, me qindra mijëra njerëz pa asgjë, pa strehim, pa ushqim, pa ilaçe dhe të ekspozuar në bomba", shtoi Boreli. 

Ai theksoi se në kushte të tilla për çdo ditë po vdesin shumë civilë, prandaj parashtrohet pyetja sa të vrarë janë shumë dhe deri kur do të zgjasë kjo. 

Sipas tij, ajo që tani dërgohet si ndihmë humanitare për Gazën, nuk është e mjaftueshme për nevojat e popullsisë civile dhe duhet të bëhen përpjekje që të hapen portet dhe vendkalimet kufitare për shpërndarje të ndihmës, sepse në kushtet e tanishme njerëzit nuk mund të rezistojnë. 

Boreli theksoi edhe se ajo që për momentin BE-ja është e përkushtuar në kërkimin e zgjidhjes për Lindjen e Afërt, nuk nënkupton se do ta lë mënjanë Ukrainën, duke potencuar se ngjarjet në vend janë pika e parë në rend dite të asamblesë së Këshillit dhe se Unioni do të vazhdojë me mbështetjen për Kievin. 

"Ukrainasit nuk duhet të shqetësohen. Vazhdon mbëshetja evropiane, e fuqishme si gjithmonë dhe do të vazhdojë", shtoi Boreli. fc/

Fotografia: EBC

 

QËNDRONI TË LIDHUR