• e diel, 22 dhjetor 2024

Blinken: Gjatë javëve të ardhshme është i mundur takim i ri midis Bajdenit dhe Zelenskit

Blinken: Gjatë javëve të ardhshme është i mundur takim i ri midis Bajdenit dhe Zelenskit

Uashington, 16 maj 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski, do të mund "në javët e ardhshme" të takohet me presidentin e SHBA-së Xho Bajden dhe atë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe për siguri, deklaroi sot në Kiev, sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken. 

Gjatë brifingut të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitri Kuleba, Blinken deklaroi se kushtet e marrëveshjes dypalëshe janë "pothuaj të miratuar", ndërsa Kuleba shtoi se ishte krijuar një "dialog besimi" midis Zelenskit dhe Bajdenit, shkruan Kiev Independent.

Shefi i diplomacisë ukrainase shpreson se të dy liderët do të kenë mundësinë të diskutojnë çështjet e nevojshme dhe të nënshkruajnë marrëveshje, por nuk zbuloi datë të mundshme për takimin mes dy presidentëve.

Në samitin e NATO-s në Vilnius në fillim të korrikut të vitit të kaluar, anëtarët e Grupit shtatë (G7) e prezantuan planin e tyre për angazhimet afatgjata të sigurisë ndaj Ukrainës. Më shumë se 30 vende deri tani iu bashkangjitën deklaratës së përbashkët të G7 për mbështetjen e Ukrainës, ndërsa Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Danimarka, Italia, Kanadaja, Holanda, Finlanda dhe Letonia tashmë kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Kievin zyrtar.

Sipas kësaj marrëveshjeje, disa vende do t'i ofronin mbështetje dypalëshe Kievit në konfliktin me Rusinë dhe çdo agresion të ardhshëm. Garancitë e sigurisë do të nënkuptonin angazhime të qarta dhe afatgjata, si dhe përforcimin e aftësisë së Ukrainës për t'i rezistuar agresionit rus. Garancitë do t'i përfshijnë edhe sanksionet, ndihmën financiare dhe rindërtimin e pasluftës. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR