Blinkeni dhe Lami në Kiev në takim me Zelenskin
- Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken dhe ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë Dejvid Lami sot do të vizitojnë Kievin, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodimir Zelenskin dhe persona të tjerë zyrtarë.
- Post By Fami Bajrami
- 11:24, 11 shtator, 2024
Kiev, 11 shtator 2024 (MIA) - Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinkeni dhe ministri britanik i Punëve të Jashtme Dejvid Lami sot do të vizitojnë Kievin, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodimir Zelenskin dhe persona të tjerë zyrtarë.
Blinkeni tha se do të diskutojë për caqet ushtarake të Kievit dhe mënyrat të cilat Uashingtoni mund të ndihmojë.
"Unë mendoj se ky është një moment kyç për Ukrainën në mes të një sezoni të luftimeve intensive vjeshte me Rusinë, e cila vazhdon të përshkallëzojë agresionin e saj" tha Blinken në Londër në një konferencë për shtyp me Lamin.
Ai gjithashtu deklaroi se Irani e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike dhe se ato pritet të përdoren së shpejti në fushëbetejën e Ukrainës, duke paralajmëruar se bashkëpunimi midis Teheranit dhe Moskës kërcënon sigurinë evropiane.
Blinkeni nuk tha nëse Uashingtoni do ta miratojë që Kievi të përdorte armë me rreze të gjatë veprimi për sulme në territorin e Federatës Ruse, por tha se disa faktorë po merren parasysh kur bëhet fjalë për këtë.
"Nuk është vetëm sistemi i (armëve). Patjetër duhet të pyesni, nëse mund ta përdorin ukrainasit në mënyrë efektive, ndërsa ndonjëherë kjo kërkon trajnim të konsiderueshëm, që ne e bëmë. A kanë aftësi për ta mbajtur atë?" tha ai.
Zelenski ka kohë që apelon deri tek aleatët e perëndimit që të miratojnë përdorimin e armëve të tyre në territorin rus dhe u bën thirrje atyre që të dorëzojnë shpejt armë me rreze të gjatë. Rusia ka shtuar sulmet ajrore kundër Ukrainës në javët e fundit, ndërsa Kievi lëshon qindra drone me rreze të gjatë veprimi thellë në territorin rus. rq/
Foto: EPA