Bislimovski: Nëse KRRE përcakton çmimin përfundimtar të shërbimeve të ujit do të zvogëlohen humbjet e ujit dhe do të përmirësohen investimet në infrastrukturën e ujësjellësit
- Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturinat Komunale (KRRE), Marko Bislimovski është optimist se mund të përmirësohet gjendja e ndërmarrjeve publike të ujësjellësit në shtet nëse KRRE përcakton çmimin për çdo shërbim të ujit. Kjo, thotë ai, do të zvogëlojë humbjet e ujit dhe do të kontribuojë për investime në infrastrukturën e ujësjellësit pa rritur në mënyrë drastike faturat për shërbime të ujit.
- Post By Sara Ademi
- 13:12, 30 korrik, 2025
Shkup, 30 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturinat Komunale (KRRE), Marko Bislimovski është optimist se mund të përmirësohet gjendja e ndërmarrjeve publike të ujësjellësit në shtet nëse KRRE përcakton çmimin për çdo shërbim të ujit. Kjo, thotë ai, do të zvogëlojë humbjet e ujit dhe do të kontribuojë për investime në infrastrukturën e ujësjellësit pa rritur në mënyrë drastike faturat për shërbime të ujit.
"KRRE në bashkëpunim me shoqatën e ndërmarrjeve të ujësjellësit në shtet - ADKOM punon në dorëzimin e propozimeve për ndryhsimet dhe plotësimet e dy ligjeve që do t'i mundësojnë KRRE-së ta përcaktojë çmimin përfundimtar për çdo shërbim të ujit", konfirmoi sot kryetari i KRRE-së.
Me këtë, shtoi, vendimi ynë do të jetë i obligueshëm për ndërmarrjet komunale të ujësjellësit.
"Në këtë mënyrë, do ta thjeshtojmë të gjithë procesin, duke marrë parasysh se të gjitha metodologjitë tona janë inkurajuese dhe u japin sinjal kompanive, pavarësisht aktivitetit të tyre, që të ulin kostot e tyre. Besojmë se në këtë mënyrë do të sigurojmë më shumë investime në infrastrukturën ujore në vend, duke marrë parasysh se humbjet e ujit në nivel shtetëror janë 64 përqind. Presim që ky koncept i ri të kontribuojë në investime të reja në këtë infrastrukturë, e cila është 50, 60 dhe madje 70 vjeçare, të cilat do të mundësojnë uljen e humbjeve dhe do të ulet përqindja e ujit të papaguar. Në këtë mënyrë, konsumatorët do të kenë një furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm me ujë, por për shkak të uljes së humbjeve, nuk do të ketë rritje serioze të çmimeve për shërbimet e ujit", tha Bislimoski.
Tani, siç tha, KRRE merr një vendim për çmimin e shërbimeve të ujit, i cili përcakton çmimin minimal dhe maksimal për secilin shërbim të ofruar nga ndërmarrjet e ujësjellësit, dhe më pas, bazuar në atë vendim, Bordi Drejtues i ndërmarrjes merr vendim për çmimin në kuadër të minimumit dhe maksimumit e cila pastaj dorëzohet për miratim nga Këshilli i komunës.
"Është e qartë se ky është një proces më kompleks që ka ndikime politike dhe nuk merren gjithmonë vendime që janë në interes të ndërmarrjeve të ujësjellësit dhe në interes të konsumatorëve", theksoi Bislimoski. sa/
Foto: MIA