• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bislimoski për MIA-n: Të blihet rrymë kur është e lirë, ndërsa thëngjilli të ruhet për dimër

Bislimoski për MIA-n: Të blihet rrymë kur është e lirë, ndërsa thëngjilli të ruhet për dimër

Athinë, 13 prill 2023 (MIA) - Fotovoltaikët ndryshojnë çmimin e energjisë elektrike, e cila nuk është më e shtrenjta gjatë ditës, por ndryshon, dhe pikërisht nga kjo duhet të përfitojnë EMV dhe EVN Home, nëse është e nevojshme, për të blerë. rryma në periudha kur është drastikisht më e lirë, kurse thëngjilli duhet të ruhet për dimër, tha për MIA-n kryetari i Komisionit Rregullator për Energji, Marko Bislimoski.

Ai si kryetar i Bordit të rregullatorëve, që nga dje po merr pjesë në takimin e rregullt dyditor në Athinë të rregullatorëve nga Komuniteti i Energjisë dhe në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, sqaron se në cilin rast mund të flasim për vendosjen e tarifës së lirë, por gjithashtu zbulon se në vetëm tre muaj në Maqedoninë e Veriut janë dhënë 170 licenca për elektrocentrale të reja fotovoltaike, krahasuar me 267 gjatë gjithë vitit të kaluar.

Sa i përket çmimit të energjisë elektrike në bursë, bën të ditur se ai nuk është më më i larti gjatë ditës, por është shumë më i ulët se në orën 19 apo 20, e pas mesnate është edhe më i ulët, prandaj ka edhe ndryshime drastike në çmimet e bursës dhe “kemi të ashtuquajturat Kurba e patës, e cila është karakteristike për vendet ku ka prodhim të theksuar nga fotovoltaikët”.

"Kemi pasur ditë kur çmimi i rrymës gjatë ditës ka qenë 1.68 euro për megavat orë, ka pasur ditë që ka qenë pesë apo gjashtë euro. Në një ditë normale është diku rreth 60 euro për megavat orë, dhe pikërisht për këto arsye, kur flasim për mundësinë e vendosjes së tarifës së lirë, e shohim këtë si dërgim të sinjalit edhe tek EMV edhe tek EVN houm, nëse është e nevojshme, që të blejnë energji elektrike pikërisht në periudhat kur ajo është shumë më e ulët, me qëllim që të kursejmë ujin në hidrocentralet tona, se përgatitjet për sezonin e ri të ngrohjes duhet të fillojnë menjëherë pas përfundimit të këtij sezoni", sqaron Bislimoski dhe shton se me ardhjen e verës do të jetë e zakonshme që gjatë ditës çmimet të jenë nga 20 deri 30 euro për megavat orë dhe “absolutisht duhet ta shfrytëzojmë këtë, të mos presim, të jemi para kohës, të mos kemi nevojë për ndryshime në çmimet e energjisë elektrike”.

Kryetari i Komisionit Rregullator shprehet se janë duke e shqyrtuar mundësinë e vendosjes së tarifës së lirë, por nëse të gjithë e zbatojnë këtë koncept të blerjes së energjisë elektrike kur është më e lira.

Nga ana tjetër, nëse mund të ketë rritje të energjisë elektrike, ai sqaron se personalisht nuk është ithtar i rritjes së çmimit të energjisë elektrike tani, në këto kushte, sepse ka “mundësi të shumta të hapura,të cilat duhet t'i shfrytëzojmë".

Gjatë bisedës me korrespondenten e MIA-s nga Athina, Bislimoski thekson se ndonëse kishte paralajmërime për dimër të ashpër, rritja e prodhimit të energjisë elektrike në vend, trend që po vazhdon edhe në vitin 2023, si dhe dimri i butë, ka ndihmuar që të mos ketë probleme.

"Në gjashtë-shtatë muajt e fundit kemi përballuar me sukses krizën, nuk ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike në tregun e rregulluar, përkundrazi, çmimi për konsumatorët e vegjël nga 1 janari i këtij viti është ulur për 20 për qind. Nuk kishte kurrfarë kufizimesh, asnjë devijim. Kjo është për shkak të rritjes së prodhimit të energjisë elektrike në vend, por kemi pasur edhe një dimër të butë dhe kjo sigurisht që na ka ndihmuar të gjithëve. Ai trend i rritjes së prodhimit vendor është më i theksuar edhe në tre muajt e parë të vitit për nevojat e përgjithshme të energjisë elektrike ne sigurojmë rreth 88.5 për qind nga prodhimi vendor, ndërsa importi për nevojat e përgjithshme të energjisë elektrike, jo vetëm për tregun e rregulluar është 11,5 për qind dhe nuk mendoj se ka pasur shifra të tilla në 20 vitet e fundit", sqaron Bislimoski.

Ai shton se nëse i aktivizojmë kapacitetet prodhuese vendore, në këtë mënyrë më së shumti mund të ndihmojmë veten dhe nuk ka zgjidhje tjetër, e njëherësh thekson se do të vazhdojnë investimet në elektrocentrale të reja fotovoltaike.

"Deri më sot kemi dhënë 170 licenca për vitin 2023. Pra, për tre muaj e dhjetë ditë janë dhënë 170 licenca. Konkretisht vitin e kaluar, kemi dhënë 267 licenca për gjithë vitin. Pra, ky vit do të jetë vit rekord në Maqedoni sa i përket kapaciteteve të reja të ndërtuara prodhuese të energjisë elektrike, ka zbuluar për MIA-n kryetari i Komisionit Rregullator.

Takimi në Athinë i bordit të rregullatorëve nga Bashkësia Energjetike, të cilin e kryeson Bislimoski, filloi dje, vazhdon edhe sot dhe siç bën të ditur kryetari i KRRE-së, tema kryesore është përballimi i krizës energjetike si dhe shkëmbimi i përvojave. 

Nga këto përvoja, rregullatorët do të nxjerrin përfundime dhe në fund do të përgatitet një studim, i cili “do të jetë udhërrëfyes për ne që të përballemi me krizën energjetike, e cila padyshim do të vazhdojë tutje”.

Ajo që tashmë është e zakonshme nga këto takime është se varësisht nga fakti nëse një vend është importues i energjisë elektrike dhe gazit natyror apo eksportues i energjisë elektrike, siç është për shembull Bosnja e Hercegovina, dhe masat që i kanë ndërmarrë vendet dallojnë, por ka një tregues të përbashkët se në të gjitha vendet ka rritje serioze të çmimit të energjisë elektrike, rritje edhe më të madhe të çmimit të gazit natyror dhe këto janë tendencat që kanë ndodhur në vitin 2021 dhe 2022. Në fillim të vitit 2023 kemi situatë më të relaksuar sa i përket uljes së çmimeve si të rrymës ashtu edhe të gazit natyror dhe të shpresojmë se ato trende do të vazhdojnë me qëllim që të kemi situatë shumë më të qëndrueshme", shprehet Bislimoski.

Në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Komisionit Rregullator Energjetik (KRRE) u zgjodh unanimisht kryetar i Bordit të rregullatorëve të Bashkësisë energjetike në mbledhjen e atëhershme të rregullt, ndërsa në nëntor të vitit 2021 ai mori mandatin e dytë, dyvjeçar.

Takimet e Bashkësisë energjetike mbahen tradicionalisht në Athinë, ndërsa përveç Maqedonisë së Veriut, anëtarë janë edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina dhe Shqipëria.

Takimi i mëparshëm në Athinë u zhvillua në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Sanja Ristovska

QËNDRONI TË LIDHUR