• e enjte, 05 dhjetor 2024

Bislimoski: Ende është shumë herët të flasim si do të jetë çmimi i energjisë elektrike pas 1 janarit

Bislimoski: Ende është shumë herët të flasim si do të jetë çmimi i energjisë elektrike pas 1 janarit

Shkup, 7 nëntor 2024 (MIA) – Është shumë herët të flasim se si do të jetë çmimi i energjisë elektrike pas 1 janarit të vitit 2025. Tenderët ende nuk kanë përfunduar, një pjesë e tyre as nuk kanë filluar, kështu që në këtë moment nuk do të ishte korrekte të spekuloj si do të ishin çmimet, por nuk besoj se do të kishim vendime problematike të cilët do të ndikonin në buxhetin e amvisërive, theksoi sonte kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), Marko Bislimoski. 

Theksoi se KRRE në këtë moment i analizon kërkesat për çmimin të cilat tashmë i dorëzuan MEPSO, MEMO dhe Elektrodisrtibucioni, ndërsa siç tha, në dhjetor do t’i dorëzojë edhe furnizuesi universal EVN Houm. Pikërisht nga çmimi të cilin do ta ofrojë EMV në tenderin e EVN Houm, shtoi, më së shumti do të varet çmimi përfundimtar sipas të cilit konsumatorët do ta paguajnë rrymën pas 1 janarit. 

“Elementët më të rëndësishëm që do të ndikojnë në vendimin që do të zbatohet nga 1 janari janë shpenzimet e blerjes së humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes dhe do të varen edhe nga shpenzimi i blerjes së energjisë elektrike që do të tenderohet nga furnizuesi universal. Në pjesën më të madhe, këto shpenzime varen nga çmimet që do të ofrohen në tenderë. Gjithmonë kam qenë kundër ndonjë goditjeje ekstreme sa i përket çmimit të energjisë elektrike, kështu që nuk pres që as tani të ketë çmime problematike në krahasim me atë që kemi pasur në periudhën paraprake”, tha Bislimoski në një intervistë për TV Sitel..

Këtë vit, siç tha, KRRE për herë të parë përcakton çmime për transmetim të energjisë elektrike dhe për shpërndarje të energjisë elektrike në procedura për të dhëna të cilat kompanitë duhet t’i dorëzojnë deri më 30 shtator. 

“Në një pjesë të caktuar kompanitë nuk kanë qenë plotësisht të përgatitura për këtë dhe për këtë të dhënat që na kanë dorëzuar në kërkesë nuk janë plotësisht të mira dhe për ato arsye ndoshta kanë kërkuar rritje, aq sa kanë kërkuar. Nuk do të ketë absolutisht pranime, por ne jemi duke i analizuar këto kërkesa. Jam i sigurt se me vendimet tona kompanitë do të punojnë normalisht dhe si zakonisht nga 1 janari 2025, duke u kujdesur që në asnjë mënyrë të mos preken amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”, thekson Bislimoski.

Në vitin 2023 në nivel të shtetit, siç tha, kemi përqindje rekorde të ulët të importit të energjisë elektrike prej 2,75 për qind. 

“Kjo kryesisht për faktin se në tre vitet e fundit janë ndërtuar rreth 900 megavat objekte të reja prodhuese që prodhojnë energji elektrike nga dielli dhe era, kështu që viti 2023 ishte vit me import rekord të ulët të energjisë elektrike. Sipas të dhënave që kemi tani, besoj se edhe viti 2024 do të jetë në atë nivel dhe në periudhën e ardhshme Maqedonia do të arrijë të mbulojë në pjesën më të madhe nevojat e saj për energji elektrike, para së gjithash për shkak të investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Gjithashtu pres që do të ketë investime të reja në ndërtimin e termocentraleve të reja”, tha Bislimoski.

Për ndryshimet e Ligjit për energjetikë theksoi se në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me lidhjen rajonale të tregjeve dhe të energjisë elektrike dhe të gazit natyror. 

“Këto janë obligime që Maqedonia i ka marrë me anëtarësimin në Bashkësinë Energjetike dhe e gjithë kjo do të na mundësojë që të fillojmë bashkimin e tregut të tregut tonë të energjisë elektrike me tregjet e vendeve fqinje. E gjithë kjo pas një periudhe afatmesme prej 5 deri në 10 vjet do të thotë se Maqedonia do të jetë pjesë e një tregu të përbashkët panevropian”, theksoi Bislimoski.

Me ligjin e ri për energjetikë, shtoi, thjeshtësohen dhe sqarohen kushtet për vendosjen e baterive të cilat do të shfrytëzohen për ruajtjen e energjisë elektrike të prodhuar nga fotovoltaikë dhe parqe me erë. 

“Përveç kësaj, procedurat për marrjen e licencave në KRRE janë duke u thjeshtuar, por më e rëndësishmja është që ne në tërësi, mendoj se do të jemi të parët në rajon që do të zbatojmë në legjislacionin tonë kombëtar direktivat e fundit të Bashkimit Evropian lidhur me energjetikën”, theksoi Bislimoski. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR