Bislimi: Propozimet e Kosovës dhe Serbisë për dinarin janë larg njëra-tjetrës, ka nevojë për takim të ri
- - Zëvendëskyeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi deklaroi se vlerëson se ka nevojë për takim plotësues për çështjen e dinarit serb, pas takimeve të cilat i realizoi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, informon Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe.
- Post By Fitore Curri
- 17:43, 25 mars, 2024
Prishtinë, 25 mars 2024 (MIA) - Zëvendëskyeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi deklaroi se vlerëson se ka nevojë për takim plotësues për çështjen e dinarit serb, pas takimeve të cilat i realizoi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, informon Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe.
Kosova dhe Serbia sot biseduan për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit nga 1 shkurti ishte ndaluar për pagesa në para të gatshme në Kosovë.
"Mendimi im është se këto propozime janë ende shumë larg njëra-tjetrës. Ne u përpoqëm të afrohemi, por duket se ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta (ndërmjetësi i BE-së Miroslav) Lajçak do të ofrojë që të mbahet javën e ardhshme", deklaroi Bislimi.
Ai informoi se në takimin në Bruksel, me ndërmjetësim të përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Kosova ka dhënë dy propozime, por nuk deshi që të zbulojë hollësi.
"Kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do ta dëmtojë më shumë procesin nëse vazhdojmë të prezantojmë detajet e dy propozimeve", tha Bislimi.
Fillimisht, më herët gjatë ditës, u mbajt takim tripalësh mes Bislimit dhe Petkoviqit, me ndërmjetësim të përfaqësuesit të BE-së për dialogun.Pastaj Lajçaku realizoi takime dypalëshe me të dyja delegacionet.
Takimet e sotme ishin vazhdimësi e takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët ranë dakord që të propozojnë një zgjidhje për dinarin. Në takimin e sotëm pritej të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Përdorimi i dinarit për pagesat me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore të re që përcakton euron si monedhën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, përveç që ka zemëruar Serbinë, ka shkaktuar edhe mosmarrëveshje mes Qeverisë së Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, dhe bashkësinë ndërkombëtare, pasi bashkësia serbe në Kosovë ka vite që merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatët perëndimorë kërkuan nga Kosova që ta pezullojë rregulloren dhe tu japë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Në intervistë për REL javën e kaluar, kryeministri Kurti deklaroi se nuk do të pranohen propozimet për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së. fc/