• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bilanci i të vdekurve nga përmbytjet në Itali u rrit në tetë persona

Bilanci i të vdekurve nga përmbytjet në Itali u rrit në tetë persona

Romë, 17 maj 2023 (MIA) - Të paktën tetë persona humbën jetn dhe mijëra janë zhvendosur pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin verior italian  Emilia-Romanja, kumtuan sot autoritetet lokale.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar derdhjen e 21 lumenjve, të cilët kanë përmbytur  rrugë dhe shtëpi, ndërsa  ka pasur edhe ndërprerje në qarkullimin hekurudhor. 

"Të paktën 5.000 njerëz janë evakuuar nga zona", tha ministri i Mbrojtjes Civile Nelo Musumeçi. 

Numri i përgjithshëm i qyteteve të prekura nga përmbytjet është 36, ndërsa rrëshqitje dheu janë regjistruar në 48 qytete dhe fshatra.

Autoritetet i paralajmërojnë banorët e zonave të prekura se reshjet mund të zgjasin edhe 12 orë. 

"Gjendja e jashtëzakonshme aspak nuk ka mbaruar.. Operacionet e shpëtimit janë komplekse dhe mund t'i vënë në rrezik shpëtimtarët," tha Titi Postilone, zëvendësshef i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Italisë.

Gara e Formula 1, e cila do të zhvillohet në Imola këtë fundjavë, në afërsi të zonave më të goditura, është anuluar. “Vendimi është marrë sepse nuk është e mundur të mbahet e sigurt ngjarja për tifozët, ekipet dhe personeli  ynë”, thanë organizatorët e Formula 1.

Dy javë më parë, ngjarje të ngjashme të motit shkaktuan të paktën dy vdekje dhe dëme të mëdha në të njëjtin rajon. 

Musumeçi tha se Qeveria  me vigjilencë është duke e përcjellë gjendjen dhe tashmë ka ndarë 10 milionë euro për këtë zonë. 

 Italia është goditur nga periudha të gjata thatësire vitet e fundit, por ekspertët thonë se ngjarje të tjera ekstreme të motit, si stuhitë dhe përmbytjet, po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.

Për shkak të thatësirës së zgjatur, toka e absorbon më pak shiun se zakonisht, me çfarë rritet  mundësia për përmbytje. ar/

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR