• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bigum për MIA-n: Jemi këtu për të shtrirë dorën dhe për të biseduar se si mund t'ju ndihmojmë të bëheni anëtare e BE-së

Bigum për MIA-n: Jemi këtu për të shtrirë dorën dhe për të biseduar se si mund t'ju ndihmojmë të bëheni anëtare e BE-së

Shkup, 23 shtator 2023 (MIA) - Deputetja e Folketgetit danez Mariane Bigum në një intervistë për MIA-n thekson mbështetjen që na jep ky shtet në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se duan që ne t'i bashkohemi në BE, dhe se ata janë këtu për të na ndihmuar në çdo hap të rrugës. Por deputetja daneze thekson gjithashtu se i vjen keq që procesi është për ne është i gjatë dhe, siç thotë ajo, e kupton zhgënjimin.

Ajo, së bashku me disa deputetë të tjerë, ishte në Shkup për takime në Kuvend, me përfaqësues të tjerë zyrtarë dhe të shoqërisë civile.

“Ne jemi këtu për të dhënë ndihmesën tonë dhe për të diskutuar se si mund ta ndihmojmë Maqedoninë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është pika e vetme në agjendën tonë, pra si mund ta ndihmojmë dhe lehtësojmë këtë proces”, thotë Bigum.

Deputetja Bigum tha gjithashtu se për sa i përket integrimit evropian, aktualisht janë të fokusuar në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.

“Nuk kemi diskutuar nevojën për reforma institucionale në BE apo paqartësi të reja në ligje, apo gjëra të tjera të reja. Pra, kjo nuk është në agjendën tonë dhe qëllimi i vetëm i Kuvendit dhe i delegatëve të kësaj vizite është që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së”, tha Bigum.

Deputetja Bigum në intervistën për MIA-n thotë se fokusi i interesimit dhe punës së saj është tranzicioni i gjelbër në BE dhe në Danimarkë, por edhe në nivel global. Si inxhiniere mjedisi, Bigum ka punuar gjerësisht me mbetjet dhe burimet dhe thekson se mënyra se si ne përdorim burimet e planetit është e paqëndrueshme.

“Puna ime fokusohet në atë se si të rikthehemi në një rrugë të qëndrueshme dhe të zhvillojmë mundësi të gjelbra biznesi, punë të reja të gjelbra dhe një mënyrë jetese më gjithëpërfshirëse ku kemi më shumë kohë për të folur me njëri-tjetrin, në vend që thjesht të punojmë vazhdimisht, të shpenzojmë para dhe të shfrytëzojmë burimet e planetit”, thekson deputetja daneze.

Në intervistën për MIA-n, ajo foli edhe për qëndrimin ndaj grave në politikë në Danimarkë dhe sa respektohen nga kolegët e tyre.

Deputete Bigum, cili është qëllimi i vizitës së delegacionit danez në Maqedoninë e Veriut?

“Ne jemi këtu për të dhënë një ndihmesë dhe për të diskutuar se si mund ta ndihmojmë Maqedoninë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është pika e vetme në agjendën tonë, pra si mund ta ndihmojmë dhe lehtësojmë këtë proces.

Ju keni pasur takime me kolegët tuaj në Parlament. Çfarë mesazhesh keni shkëmbyer?

“Biseduam për nevojën e ndryshimeve kushtetuese për hapjen e negociatave me BE-në dhe se si trajtohet kjo temë. E dëgjuam, e kuptuam dhe e dinim edhe para se të vinim, se ka zhgënjim të madh për këtë proces që po zgjat shumë, si dhe për barrën që ka mbi supe populli maqedonas. Ne kemi shkëmbyer mendime për këtë dhe qëndrimi ynë nuk është i ndryshëm, ne e kuptojmë plotësisht këtë.

Maqedonia e Veriut aktualisht është duke pasur një "luftë të brendshme" për të ardhmen e vendit në aspektin e integrimit evropian. Ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme. Cili është mendimi juaj për këtë situatë?

“Ajo që kam dëgjuar këtu është se ka një konsensus të përgjithshëm se e ardhmja e vendit është në BE. Ky është edhe qëndrimi i Parlamentit tonë. Tema e anëtarësimit të Maqedonisë në BE qëndron në pikat e sipërme në agjendën tonë politike dhe është diçka për të cilën kemi punuar dhe kemi folur për një kohë të gjatë. Partia ime është partnere me partinë tuaj RDM (DOM) dhe ne po punojmë për të lehtësuar këtë proces. Sigurisht që ka zgjidhje dhe ka një të ardhme, dhe nuk kam asnjë dyshim se kjo është rruga përpara. Kam dëgjuar se disa njerëz kanë dyshime nëse vërtet dëshirojmë që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së, por këtë nuk e kam dëgjuar kurrë në Parlamentin danez dhe në diskutimet që kemi pasur atje. Ajo që po diskutojmë është se si të lehtësohet procesi, si të përkrahet Maqedonia në ndryshimet e nevojshme për hapjen e negociatave për reformat institucionale. Ne jemi këtu për të thënë se kemi ardhur si miq dhe se mezi presim që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së dhe se jemi këtu për t'ju mbështetur në çdo hap të kësaj rruge.

A do të jenë në gjendje reformat e planifikuara në BE t'i ndihmojnë vendet si Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në Union?

“Ajo për të cilën po flasim në Danimarkë janë kriteret e Kopenhagës, këtu po fokusohemi, si dhe çështja e ndryshimeve kushtetuese që nevojiten për të nisur negociatat. Ne nuk kemi diskutuar nevojën për reforma institucionale në BE, apo paqartësi të reja në ligje apo gjëra të tjera të reja. Pra, kjo nuk është në agjendën tonë, dhe qëllimi i vetëm i Kuvendit dhe i delegatëve të kësaj vizite është se si ta ndihmojmë Maqedoninë të bëhet pjesë e BE-së.

Cili është mesazhi juaj për qytetarët?

“Mesazhi im është i qartë, se ne duam që ju të bashkoheni me ne. Ne vërtet dëshirojmë që ju të bëheni anëtarë, të bashkoheni me ne në Bashkimin Evropian dhe ne jemi këtu për t'ju ndihmuar në çdo hap të kësaj rruge dhe se ne po punojmë për këtë. Ju nuk jeni vetëm, ne ju dëgjojmë dhe e shohim tek ju zhgënjimin. Më vjen shumë keq që ky është një proces kaq i gjatë, jam dakord dhe e kuptoj zhgënjimin. Edhe unë do të ndihesha në të njëjtën mënyrë. Ne jemi të përkushtuar edhe më shumë për të siguruar që procesi të ecë pa probleme, dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu, nga Parlamenti danez, për një vizitë zyrtare në vendin tuaj.

Ju jeni anëtare e partisë daneze The Green Left. Në çfarë fokusoheni më shumë në punën tuaj?

“Një pjesë e madhe e punës sime ka të bëjë me tranzicionin e gjelbër, në BE dhe në Danimarkë, por edhe në nivel global. Unë jam një inxhiniere mjedisi. Kam punuar shumë me mbeturinat dhe burimet dhe shoh që mënyra se si i përdorim burimet e planetit është e paqëndrueshme. Puna ime fokusohet në atë se si të rikthehemi në një rrugë të qëndrueshme dhe të zhvillojmë mundësi të gjelbra biznesi, punë të reja të gjelbra dhe një mënyrë jetese më gjithëpërfshirëse ku të kemi më shumë kohë për të folur me njëri-tjetrin, në vend që të punojmë vazhdimisht, të shpenzojmë para dhe të shfrytëzojmë burimet e planet

Si po i menaxhon Danimarka sfidat (krizat) që lindën pas luftës në Ukrainë dhe Kovid 19 në botë? Këtu duhet të përmend krizën energjetike, krizën ushqimore dhe gjithçka që sjellin ato?

“Edhe ne, si të gjithë evropianët, kemi ndjerë rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të ushqimeve, gjë që dëmton veçanërisht njerëzit që nuk kanë shumë para. Ky është një problem që ende e shohim të pranishëm në dimër. Ne po përgatitemi në shumë mënyra, por kryesisht përmes efiçencës energjetike, duke punuar për të përdorur sa më pak energji elektrike dhe duke investuar në energjinë e gjelbër. Ne shohim gjithashtu se në Danimarkë ka një debat të madh për çmimet e ushqimeve dhe diskutime për ndryshimin e mënyrës sonë së të ushqyerit, për të qenë më me bazë bimore. Është e mirë për mjedisin, por edhe për shëndetin tuaj. Si bijë kasapi më pëlqen shumë mishi, por edhe perimet.

Si deputete, si trajtohen gratë në politikë në Danimarkë dhe sa janë të përfaqësuara në politikë?

“Jam shumë krenare. Unë u zgjodha vitin e kaluar dhe atëherë për herë të parë në historinë daneze, gratë zyrtare përbënin më shumë se 40 për qind. Këto ishin zgjedhjet e para në Danimarkë kur në fakt ne thyem "tavanin e xhamit". Unë jam shumë krenare për këtë. Ne kemi ende punë për të bërë në aspektin e barazisë në Danimarkë. Në politikë mendoj se është mirë kur përfaqësohemi njësoj. Ne të gjithë përfaqësojmë njerëz, përvoja, pikëpamje të ndryshme, prandaj kemi nevojë për shumë përfaqësim, ka shumë kolegë të mirë me të cilët mund të punoj dhe kjo më jep shpresë për të ardhmen. Mendoj se kemi kolegë shumë të mirë meshkuj, ndaj nuk e kam përjetuar kaq shumë në Parlament, përgjithësisht ka një marrëdhënie shumë të mirë. Në fakt, ne po hasim një shkallë më të madhe të gjuhës së urrejtjes, në lajme, në mediat sociale, se agjenda jonë është një flamur i kuq për dikë. Dhe në Danimarkë, është me të vërtetë problem, toni i përgjithshëm, mënyra se si vlerësoheni ndryshe nga burrat, cilësitë tuaja vihen në dyshim dhe mënyra se si përdoret gjinia juaj kundër jush në këtë debat, dhe kjo i bën gratë të mos duan të angazhohen me politikë sepse është e vështirë. Është e vështirë kur thua diçka në mediat sociale ose në lajme dhe më pas goditesh nga një vërshim urrejtjeje. Është e padenjë për një demokraci.

Gazetare: Elizabeta Veljanovska Najdeska

Foto: Frosina Naskoviq

Video: Asllan Vishka

 

QËNDRONI TË LIDHUR