• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Berova komuna e vetme e cila ka hapje gjithëpërfshirëse të procesit buxhetor, shumica e komunave me hapje minimale

Berova komuna e vetme e cila ka hapje gjithëpërfshirëse të procesit buxhetor, shumica e komunave me hapje minimale

 Shkup, 10 tetor 2024 (MIA) - Shoqata për Hulumtime dhe Analiza ZMAI, sot prezantoi raportin për Indeksin e hapjes së komunave për vitin 2023 në të gjithë vendin, që tregon gjendjen aktuale të transparencës, drejtësisë dhe llogaridhënies në proceset buxhetore të komunave.

 Siç njoftoi drejtori ekzekutiv i ZMAI-it Viktor Mitevski, Komuna e Berovës është e vetmja komunë e cila ka hapje gjithëpërfshirëse të procesit buxhetor, që është rasti i parë që nga rivendosja e indeksit, por megjithatë, siç tha, pjesa më e madhe e komunave tregojnë minimalen, pra hapje të pamjaftueshme të proceseve buxhetore.

 "Në përgjithësi, si vend, kemi përmirësim vazhdimisht në katër vitet që kur kemi matur Indeksin, por ajo që është interesante dhe e rëndësishme të theksohet është se këtë vit, për herë të parë, kemi një komunë që ka arritur një hapje gjithëpërfshirëse, gjegjësisht komuna ka arritur mbi 80 pikë indeksi ose mesatarisht në të tre fushat që matim – transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi. Komuna e Berovës është e vetmja komunë, e cila për herë të parë që kur e kemi rivendosur indeksin siguron hapje gjithëpërfshirëse", theksoi Mitevski. 

 Sipas raportit të ZMAI-t, transparenca dhe llogaridhënia janë mesatarisht në nivel të mjaftueshëm, por nuk është kështu me përfshirjen e qytetarëve dhe drejtësinë e komunave.

 Mitevski theksoi se deri në 68 për qind të komunave kanë përfshirje dhe drejtësi të pamjaftueshme, ndërsa më shumë se gjysma, gjegjësisht 53 për qind, kanë llogaridhënie të mjaftueshme, ndërsa, 41 për qind e komunave kanë transparencë të mjaftueshme.

 Është pozitive, shtoi, se kemi progres në nivel të të gjitha dimensioneve të matura, por megjithatë, thotë ai, progresi nuk është i mjaftueshëm. Mitevski theksoi se është e nevojshme që qytetarët ta shohin Buxhetin si të tyrën dhe kërkesat e tyre të përkrahen nga komunat. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR