• e diel, 22 dhjetor 2024

Berisha e humbi pagën e deputetit, muajin e ardhshëm edhe mandatin

Berisha e humbi pagën e deputetit, muajin e ardhshëm edhe mandatin

Tiranë, 29 maj 2024 (MIA) -Kuvendi i ka ndërprerë Sali Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës. Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Masa financiare ndaj Berishës nga administrata e Kuvendit është aplikuar që prej janarit 2024, ndoshta si një përllogaritje edhe për kohën se kur ai mund të humbasë mandatin e deputetit, me një mungesë në punimet e Kuvendit prej 6 muajsh.

"Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023", njoftuan mediat.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

SPAK po heton procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa fillimisht arrestoi dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, për të cilin Apeli i GJKKO-së, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” sikundër kishte firmosur gjyqtarja Irena Gjoka, në “arrest shtëpie”.

Ndaj Berishës dhe Malltezit SPAK po heton për vepra penale të lidhura me pastrimin e parave dhe korrupsionit, të kryera në bashkëpunim.fc/

Fotografia: Fejsbuku i Berishës

QËNDRONI TË LIDHUR