• e diel, 22 dhjetor 2024

Belen: Mos e humbni qëllimin, Austria është partner i juaj i sigurt në rrugën drejt BE-së

Belen: Mos e humbni qëllimin, Austria është partner i juaj i sigurt në rrugën drejt BE-së

Shkup, 29 mars 2023 (MIA) - Mos e humbni qëllimin nga sytë, të punojmë së bashku, për pranim të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE. Austria mbetet partner i juaj i sigurtë, deklaroi presidenti austriak Aleksandar Van der Belen në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp në Shkup me nikoqirin e tij, shefin e shtetit, Stevo Pendarovski.

"Ju jeni në rrugën e duhur dhe Austria tërësisht ju përkrah në këtë. Jemi të bindur se do të arrini ta bëni ndryshimin e Kushtetutës dhe do të vazhdoni në rrugën e juaj drejt BE-së. Austria tërësisht do t'ju përkrah në këtë rrugë", tha Belen.

Ai theksoi se vendi me Marrëveshjen e Ohrit është shembull në rajon lidhur me bashkëjetesën etnike dhe religjioze, e që të vazhdojë procesi i zgjerimit, do të ishte e detyrueshme të ndryshohet kushtetuta. Në Austri, thotë, e kanë të qartë se ndryshimi i Kushtetutës është diçka që politikisht shkakton tensione, por, duhet të shihet përpara, të punohet në drejtim të ardhmërisë së përbashkët evropiane.

"E dimë se rruga e juaj drejt BE-së është e vështirë, se frustracioni për kohëzgjatjen e procesit është i kuptueshëm, por ju lutemi mos e humbni qëllimin nga pamja. Kroacia tregoi se pranimi është i mundur kur të gjitha forcat e rëndësishme politike janë në të njëjtën rrugë. Të punojmë së bashku për pranimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut. Unë mund të garantoj se Austria edhe në të ardhmen do t'ju qëndrojë në dispozicion si partner i sigurtë", thotë Van der Belen.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me përkrahjen e ndryshimeve kushtetuese, ai theksoi se do të mbajë fjalim në Parlament dhe do t'i lusë të gjitha grupet e deputetëve të mendojnë se çka në të kundërtën vihet në rrezik.

"Të mos dramatizohet ky hap", thotë Belen.

Presidenti Pendarovski tha se kriza ukrainase mund ta nxit integrimin e rajonit në BE, e si mik i dëshmuar, Austria e mbështet politikën e zgjerimit të BE-së.

"Austria si mik i dëshmuar i rajonit, ka rol të rëndësishëm në mbështetjen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet nga Ballkani Perëndimor, e në ato korniza, kjo vizitë e presidentit austriak tregon edhe në rëndësinë e eurointegrimit tonë", tha Pendarovski.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se në mungesë të perspektivës së qartë evropiane, euroskepticizmi do të vazhdojë të rritet dhe sigurisht do të jetë sinjal për disa forca tjera, të cilët punojnë në kundërshtim me vlerat evropiane.

Fokus të posaçëm në bisedat është vendosur edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.

Pendarovski potencoi se Austria është partner i ynë i rëndësishëm tregtar dhe investitor i parë i huaj me investime të përgjithshme prej rreth një miliardë euro dhe me prani të 54 kompanive aktive austriake në tregun tonë.

"Në atë kontekst i përshëndesim dhe përkrahim aktivitetet e Biznes asociacionit Maqedoni e Veriut-Austri. Interes i përbashkët gjeostrategjik është që juglindja e Evropës të jetë demokratike dhe e zhvilluar, që të jetë urë për këmbim ekonomik me tregjet në rritje të Azisë", tha Pendarovski.

Van der Belen tha se investimet austriake janë me numër më të madh në vend, e fakti që me të kanë ardhur edhe përfaqësues të 25 kompanive austriale, dëshmon për interesimin për përparimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Vitin e ardhshëm shënohen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, që shihet si edhe një mundësi për riafirmimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë. bsh/

 

QËNDRONI TË LIDHUR