• e martë, 24 dhjetor 2024

Bekteshi: Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga BE

Bekteshi: Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga BE

Strugë, 15 qershor 2023 (MIA) - Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga ana e BE-së. Është e vetmja mënyrë që do të na ndihmojë të integrohemi në BE. Kjo është më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu edhe për të gjitha vendet ballkanike, sepse ne nuk mund të punojmë vetëm për mbijetesë, por duhet të krijojmë progres përmes reformave dhe përshtatjes me programet evropiane, porositi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi nga Forumi i Prespës në Strugë.

Bekteshi, i cili ishte njëri nga panelistët e sesionit "Gjurmimi i rrugës drejt prosperitetit: strategjitë ekonomike financiare për rritje në Ballkanin Perëndimor", theksoi se për progres, të gjtiha vendeve të rajonit u nevojitet mbështetje evropiane. Ai e filloi fjalimin e tij, siç theksoi vetë "me fjalën BE".

 "Do të filloja me fjalën BE. Ne nuk mund të bëjmë përparim pa mbështetjen e BE-së. Kemi arritur në një pikë ku kemi filluar të mendojmë dhe të marrim parasysh përfitimet e (e)migrimit. Ne nuk mund ta shmangim procesin e migrimit, por duhet t'i qasemi strategjikisht, të kemi politika që do të përgjigjen në përputhje me rrethanat. Ne duhet të ofrojmë investime dhe shumë njohuri. Sa i përket ekonomisë së BE-së, veçanërisht standardit të jetesës, pagave dhe shërbimeve sociale, është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë barazi dhe qasje në të gjitha mundësitë", tha Bekteshi.

Më herët emigrimit i'u referua edhe guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska-Bezhoska, e cila theksoi se është një nga sfidat kyçe me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Një nga pesë persona largohen, ndërsa ende më shumë brengos fakti se një e treta e të anketuarve kanë shprehur vullnet  për të shkuar. Ka vlerësime se në dekadën e fundit, nëse nuk do të kishte emigrim, për dy-tre për qind pikë do të ishte rritja e vendeve në Ballkanin Perëndimor", nënvizoi Angelovska-Bezhoska.

Panelistë të sesionit ishin edhe ministri i Financave të Malit të Zi Aleksandar Damjanoviq, si dhe Ivana Zhovkoviq nga UNDP. sa/

foto: print skrin

QËNDRONI TË LIDHUR