• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi për "Eurovia": Mickoski të mos përhap lajme të rreme

Bekteshi për

Shkup, 29 gusht 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me ndërmarrjen ndërtimore "Eurovia", e porositi kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski që të mos përhap lajme të rreme dhe të mos merret me njerëz, të cilët nuk janë gjallë, pasi, siç tha, kjo është joetike.

"Nuk di hollësira, dje u ktheva në vend. Kam pasur rastin t'i shoh lajmet dhe të dëgjoj deklarata të politikanëve të caktuar. Ne si njerëz të cilët kryejnë funksione shtetërore, publike, duhet të kemi pak etikë, të mos flasim për persona të ndjerë dhe t'i marrim si shembull të afërmit e tyre dhe lidhjet. Flas për Abdylaqim Ademin. Kjo është joetike dhe nuk besoj se se një lider i partisë politike dhe ne, duhet të bëjmë krahasime të tilla. Për deklaratën se çdo ministër i BDI-së ka kompani, të cilëve ua jep tenderët, nuk do të them emra pasi ka procese që janë në vijim. Do t'i pyesja Mickoskin dhe VMRO-DPMNE-në si mund që ministra të tyre të mëparshëm sot të jenë dëshmitarë të kompanive të huaja në procedsura gjyqësore kundër shtetit që ata e kanë përfaqësuar. Nuk do të kalojë shumë kohë, do t'i themi edhe emrat, vetëm të përfundojnë procedurat gjyqësore. Nëse flasim për kompani, një ministër i VMRO-DPMNE-së sot është dëshmitar kundër shtetit të tij dhe është dëshmitar pasi kur ka qenë ministër, menjëherë ka marr aksione dhe është punësuar në menaxhmentin e asaj kompanie, me të cilën sot jemi në kontest gjyqësor. Për këtë të përgjigjet Mickoski, e jo të përhap lajme të rreme. Posaçërisht do t'i rekomandoja të mos merret me njerëz që nuk janë mes nesh më", tha Bekteshi.

Ai i orientoi gazetarët që për kompaninë "Eurovia" të drejtohen në MPJ.

"Për kompaninë do të drejtoheni në MPJ, ku do t'ua sqarojnë të gjitha procedurat", tha ministri.

Ndërmarrja ndërtimore "Eurovia" nga Zhelina e ka fituar tenderin për riadaptimin e sallës "Boris Trajkovski", me vlerë 1,8 milionë euro. MPJ-ja pohon se nuk ka asgjë kontestuese në tenderin, se kjo firmë ka dhënë ofertën më të lirë dhe, siç kumtoi dje, është spekulim se ka pasur ndonjë ndikim politik gjatë ndarjes së tenderit. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR