• e martë, 24 dhjetor 2024

Bekteshi: Me ligjin për praktikat e padrejta tregtare, rabati është maksimumi 10 për qind, çmimet e produkteve do të ulen

Bekteshi: Me ligjin për praktikat e padrejta tregtare, rabati është maksimumi 10 për qind,  çmimet e produkteve do të ulen

Shkup, 12 tetor 2023 (MIA) - Ligji i ri për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare parashikon uljen e rabatit në maksimum dhjetë për qind në nivel vjetor. Kjo, siç deklaroi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, do t'i ulë çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore, por edhe do të ndikojë ndaj përmirësimit të cilësisë së tyre. 

Në Ligj përmbahen rreth 26 praktika të padrejta tregtare, ndërsa për përshtatjen e kompanive me zgjidhjet e ofruara është caktuar një periudhë gjashtëmujore. Sipas biznesit, kjo është periudhë e mjaftueshme, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të shkurtohet, nëse furnizuesit dhe blerësit janë të përgatitur siç duhet.

Ligji i cili sot ishte prezantuar në Odën Ekonomike, tashmë është në ENER dhe do të miratohet me flamur evropian.

"Jo vetëm që do të ketë ulje të çmimeve, por edhe do të përmirësohet cilësia  e prodhuesve. Në ligj është theksuar në mënyrë procentuale  sa mund të jetë rabati maksimal ose kompensimet vjetore  që do të mund blerësit, në këtë rast zinxhirëte supermarketeve, t'i kërkojnë nga prodhuesit dhe furnitorët. Rabati tani tejkalon 30 - 40 për qind të çmimit të prodhimit, ndërsa me ligj do të jetë maksimumi 10 për qind dhe në kuadër të kësaj marketet do të konkurrojnë me njëra-tjetrën, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve", tha Bekteshi pas takimit të punës në Odën Ekonomike.

 Siç theksoi Vasko Ristovski nga Oda, pritet që ligji të vendos rend në treg me produktet bujqësore dhe ushqimore.

 "Ky është krejtësisht ligj i ri, punë e re për të gjithë ne. Në takim u hapën mjaft çështje që ishin të paqarta për sektorin e biznesit. Bëhet fjalë për ligje evropiane, të përshtatura për tregun tonë. Konsiderojmë se do të vendoset rend dhe se gjithçka do të rregullohet ligjërisht. Parimisht kjo periudhë rregullimi gjashtëmujore për kompanitë mbetet dhe konsiderojmë se nuk do të ketë asnjë problem. Vërejtjet eventuale duhet të dalin në periudhën e ardhshme, në 20 ditët e ardhshme. Duhet të përmbledhim sepse secili ka këndvështrimin e vet, si kompanitë ashtu edhe zinxhirët e marketeve. Nëse ka vërejtje, do t'i sublimojmë në një dokument që do t'i dorëzohet Ministrisë dikasteriale. Kemi kohë t'i shqyrtojmë dhe t'i shpjegojmë gjërat, ndoshta ne gabimisht i interpretojmë, ndoshta ka një hapësirë ​​ku mund të ndërhyhet", theksoi Ristovski.

 Teksti i ligjit është në fazën finale. Shumë e rëndësishme, vlerësoi Bekteshi, se direktivat e BE-së janë transpozuar në të. Qëllimi është, shtoi ai, përmes një dialogu në të cilin do të përfshihen të gjitha palët, të gjendet zgjidhja më e mirë për të mos dëmtuar askënd. Më e rëndësishmja, sipas ministrit, është se ky ligj do t'i rregullojë kushtet dhe mënyrën se si do të bëhet tregtia në pjesën e produkteve bujqësore dhe ushqimore. Asnjë kompani nuk do të lejohet të përdorë fuqi mbi kompanitë e tjera. Kjo, nga ana tjetër, duhet të ndikojë menjëherë në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e cilësisë së tyre, si dhe në parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e furnitorëve dhe blerësve.

Ligji për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore për herë të parë miratohet në vend.  qa/ar/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR