• e diel, 22 dhjetor 2024

Bekteshi: Ka të interesuar për ndërtimin e gazsjellësit drejt Greqisë, kërkohet edhe investitor për dy termocentrale me gaz

Bekteshi: Ka të interesuar për ndërtimin e gazsjellësit drejt Greqisë, kërkohet edhe investitor për dy termocentrale me gaz

Shkup, 14 janar 2024 (MIA) - Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se ka shumë kompani të interesuara për ndërtimin e interkonektorit të gazit që do të na lidhë me Greqinë.

“Kjo do të thotë se vendi nuk do të varet vetëm nga gazi rus dhe për momentin po kërkohet investitor për dy termocentrale me gaz dhe hidrogjen”, deklaroi Bekteshi në intervistën e përjavshme për Radio Evropa e Lirë (REL).

Duke marrë parasysh se jemi drejt fundit të ndërtimit të interkonektorit të ri së bashku me Republikën e Greqisë që duhet të rrisë kapacitetin në vend rreth furnizimit me gaz natyror, por edhe mundësinë që në të ardhmen të mund të përcjellim hidrogjen, thekson ministri, “kemi filluar procedurë për ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike”.

"Por jo vetëm kjo, por edhe për energjinë termike veçanërisht në Manastir dhe planifikohet të përdoret edhe model i partneritetit publiko-privat edhe në Osllomej ku mund të zhvillohet rrjeti për Kërçovë, siç e kemi në Shkup”, nënvizon ministri.

Në pjesën për Negotinën, thotë Bekteshi, atje planifikohet të shndërrohet në impiant me gaz dhe hidrogjen.

"Ne si ministri tashmë kemi marrë një vendim që të dërgojmë letër për interesim për vendet fqinje, sepse parashikojmë të kemi një kapacitet të madh me mbi 600 MË orë ku do të përfshihen fqinjët tanë, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor. E kemi pasur parasysh që në këtë mënyrë do ta bënim sistemin tonë energjetik si rajonal dhe në këtë mënyrë do të gërshetoheshin tregjet për të pasur një bursë më funksionale dhe për të pasur siguri edhe në furnizimin me energji elektrike", ka thënë ministri Bekteshi.

Ai sqaron se në pjesën e KME Manastir dhe TEC Osllomej kjo do të jetë në lokacionet ekzistuese, ndërsa në Negotinë do të ketë impiant krejtësisht të ri dhe për këtë do të kërkohet që të përfshihen fqinjët tanë.

Nëse jo, atëherë do të jetë me kapacitet më të vogël konform nevojave të vendit tonë dhe njëherësh do të jetë investim nga EMV përmes modelit të partneritetit publik-privat ku do të përfshiheshin partnerë privatë që kanë përvojë dhe teknologji në mënyrë që të mund të konvertohet në impiant të hidrogjenit, thotë mes tjerash ministri Bekteshi në intervistë.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR