• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi do të prezantojë Programin e Investimeve për Tranzicionin e Energjisë në COP28 të ardhshëm

Bekteshi do të prezantojë Programin e Investimeve për Tranzicionin e Energjisë në COP28 të ardhshëm

Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi do të prezantojë Programin e Investimeve të Maqedonisë së Veriut në konferencën e ardhshme ndërkombëtare të 28-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike -COP28, e cila do të mbahet këtë vit nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor 2023 në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Siç informon sot Ministria e Ekonomisë, si koordinatore e Qeverisë, është në fazën përfundimtare të zhvillimit të Platformës Investuese për Tranzicion të Energjisë (Just Energy Transition Investment Platform JETIP).

"Programi (plani) i investimeve përpunon propozimet e Qeverisë, identifikon fushat potenciale për investime dhe asistencë teknike të Bankave Shumëpalëshe dhe përfshin potencialin për mobilizimin e bashkëfinancimit shtesë nga burime dypalëshe, shumëpalëshe dhe private", theksohet në kumtesë.

Për momentin, Plani është duke u zhvilluar dhe pritet që konsultimet publike për të të mbahen në mesin e dhjetorit. Të dhënat (nga aspekti financiar dhe projektet e investimeve) janë ende në një version pune dhe sipas aktiviteteve aktuale dhe afateve kohore, plani pritet të finalizohet dhe miratohet në fund të janarit 2024.

"Plani i investimeve është plan biznesi i zhvilluar dhe dorëzuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me bankat shumëpalëshe që janë partnere të Fondit për Investime Klimatike, në këtë rast: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH - udhëheqje), Grupi i Bankës Botërore - BB (Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC)", qëndron në kumtesë.

Plani i investimit është i strukturuar në tre pjesë:  Projektet në shndërrimin e mundshëm të termocentraleve me qymyr me investime shtesë në burimet e rinovueshme të energjisë,  Rigjenerimi ekonomik i rajonit të Pellagonisë dhe Jugperëndimit dhe Programi i efikasitetit të energjisë, ngrohjes së pastër dhe prodhimit të decentralizuar.

"Maqedonia e Veriut është lider në rajon në investimet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër.  Si vend, ne kemi vendosur një objektiv ambicioz për të reduktuar dhe përjashtuar plotësisht përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike deri në vitin 2030. Vitet e fundit, tranzicionin energjetik të vendit e zbatojmë me ritme të përshpejtuara, që është një sinjal i fortë për kreditorët ndërkombëtarë që të ofrojnë mbështetje për ristrukturimin e plotë të sistemit energjetik të Maqedonisë drejt energjisë së gjelbër", citohet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë. sa/

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR