BE-ja dënon sulmet e Iranit ndaj Izraelit si kërcënim serioz për sigurinë rajonale
- Bashkimi Evropian e ka konfirmuar angazhimin e saj për sigurinë e Izraelit dhe dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit që përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë rajonale, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhosep Borel, në reagimin ndaj sulmeve me raketa balistike të Iranit ndaj territorit izraelit.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:31, 2 tetor, 2024
Bruksel, 2 tetor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e ka konfirmuar angazhimin e saj për sigurinë e Izraelit dhe dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit që përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë rajonale, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhosep Borel, në reagimin ndaj sulmeve me raketa balistike të Iranit ndaj territorit izraelit.
"Cikli i rrezikshëm i sulmeve dhe hakmarrjeve edhe një herë paraqet rrezik për nxitjen e një përshkallëzimi të pakontrolluar rajonal që nuk është në interesin e askujt. BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në uljen e tensioneve dhe për të kontribuar në depërshkallëzimin si dhe për të shmangur një konflikt të rrezikshëm rajonal", thekson Boreli në deklaratën me shkrim në emër të BE-së.
Ai vlerësoi se për realizimin e angazhimeve të tilla, BE-ja do të mbetet në kontakt të afërt me të gjithë aktorët.
"I'u bëjë thirrje të gjithë palëve që maksimalisht të përmbahen", shtoi Boreli në deklaratë.
Ai ka dënuar sulmet edhe në platformën X duke theksuar se nevojitet një armëpushim i menjëhershëm në gjithë rajonin dhe se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj përpjekjeve për të shmangur një luftë rajonale.
Duke dënuar sulmet përmes platformës X është pajtuar edhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel i cili vlerësoi se ata paraqesin kërcënim për sigurinë rajonale.
"Spiralja vdekjeprurëse e eskalimit në Lindjen e Mesme duhet të ndalet menjëherë. Lufta rajonale nuk është në interes të askujt. BE-ja është e gatshme që t'i mbështesë përpjekjet për deeskalimin dhe mbrojtjen e jetëve të civilëve", shtoi Mishel.
Sulmet me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit në X ashpër i ka dënuar edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen e cila në postimin e saj përcolli edhe deklaratën zyrtare të Borelit në emër të BE-së. qa/
Foto: arkivi i MIA-s