BDI: Tre muaj pas zgjedhjeve, Çairi në kaos dhe mashtrime!
- Para zgjedhjeve, qytetarëve të Çairit iu premtua zhvillim, investime, projekte infrastrukturore, arsim i mirëfilltë, pastërti, përmirësim i jetës së përditshme e çka jo. Sot, pas tre muajsh qeverisjeje lokale, realiteti është krejtësisht i kundërt: premtime boshe, mashtrim elektoral dhe mungesë totale veprimi.
- Post By Fami Bajrami
- 12:00, 19 janar, 2026
Shkup, 19 janar 2026
Sot mbushen tre muaj nga zgjedhjet lokale të 19 tetorit, ndërsa në Komunën e Çairit asnjë nga premtimet e Izet Mexhitit nuk është realizuar, madje nuk ka nisur as edhe një punë e vetme konkrete në terren.
Para zgjedhjeve, qytetarëve të Çairit iu premtua zhvillim, investime, projekte infrastrukturore, arsim i mirëfilltë, pastërti, përmirësim i jetës së përditshme e çka jo. Sot, pas tre muajsh qeverisjeje lokale, realiteti është krejtësisht i kundërt: premtime boshe, mashtrim elektoral dhe mungesë totale veprimi.
Sot, asnjë shkollë nuk është renovuar, nuk ka asnjë investim të dukshëm në terren, Çairi vazhdon të ketë mbeturina gjithandej, ndërsa ka humbur fuqia e shqiptarëve në ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit. Ajri mbetet i ndotur, ndërsa rrugët gjithë baltë dhe gropa të pakalueshme, të hapura para zgjedhjeve dhe që, edhe pas tre muajsh, nuk janë mbyllur. Kjo nuk është qeverisje, por menaxhim i dështuar dhe mashtrim ndaj qytetarëve.
Situata është po aq alarmante edhe brenda administratës komunale. Komuna funksionon pa kryetar gjatë pjesës më të madhe të ditës, pasi Izet Mexhiti, si gjithmonë, shfaqet vetëm pasdite, duke e trajtuar udhëheqjen e komunës si çështje dytësore. Kjo mungesë përgjegjësie reflektohet drejtpërdrejt në kaosin institucional dhe mungesën e vendimmarrjes.
E vetmja “arritje” që mund të evidentohet në këto tre muaj është emërimi në post drejtori i shefit të Shtabit zgjedhor, njëherësh dhëndër i tij, Besim Koka. Ky veprim është dëshmi e qartë se prioriteti i Izet Mexhiti nuk janë qytetarët, por nepotizmi dhe interesat e ngushta personale.
Çairi nuk ka nevojë për improvizime, as për emërime familjare. Çairi ka nevojë për punë, përkushtim dhe përgjegjësi. Tre muaj pas zgjedhjeve, qytetarët kanë marrë vetëm baltë, gropa, papastërti dhe zhgënjim.
BDI-Dega në Çair do të vazhdojë të gjykojë jo sipas asaj që thuhet, por sipas asaj që bëhet. Dhe deri më sot - nuk është bërë asgjë.
BDI-Dega në Çair