• e premte, 05 dhjetor 2025

BDI: Izet Mexhiti nuk di për përgjegjësi, di vetëm për interes personal

BDI: Izet Mexhiti nuk di për përgjegjësi, di vetëm për interes personal

Shkup, 14 shtator 2025 (MIA) - Ndërsa ajri në Shkup mbrëmë kundërmonte helm, Izet Mexhiti, i cili duket se ka harruar se është ministër i Mjedisit Jetësor, nuk tha asnjë fjalë. Nuk doli para opinionit, nuk dha rekomandime, nuk ofroi informacione, nuk bëri asnjë apel, thuhet në kumtesën e BDI-së të cilën MIA e publikon në formë integrale.

Në kohën kur Shkupi kundërmonte plastikë të djegur, bateri dhe mbeturina elektronike, kur qytetarët kishin frikë për shëndetin e tyre, për Izet Mexhitin ishte më e rëndësishme të transmetonte drejtpërdrejt një aktivitet partiak në Çair, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

E pyesim: pse ikët nga konferenca e jashtëzakonshme për shtyp ndërkohë që banorët e Trubarevës evakuoheshin vonë natën? A keni qoftë edhe një grimë përgjegjësie për funksionin që ju është besuar? Por qytetarët nuk duhet të habiten nga një sjellje e tillë.

Mexhiti për 20 vite në Çair ka pasur vetëm interesa personale, dhe kurrë kujdes të vërtetë për nevojat e qytetarëve.

Ashtu siç dje nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar dhe për të treguar se është lider dhe politikan i përgjegjshëm, po ashtu edhe gjatë dy dekadave të kaluara në Çair i ka ikur problemeve dhe ka ndjekur interesat e tij të biznesit.

Me njerëzit takohej vetëm para zgjedhjeve.

Prandaj Çairi sot duket kështu, i lënë pas dore, i pasigurt dhe i harruar.

Më 19 tetor, qytetarët e Çairit do ta mposhtin Izet Mexhitin, sepse ka ardhur koha që politika e papërgjegjësisë dhe egoizmit më në fund të mbetet në të kaluarën.

BDI

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR