• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BDI: Diaspora jo vetëm që është krenaria jonë por edhe shtylla që mban të gjallë ekonominë dhe shpirtin e vendit tonë

BDI: Diaspora jo vetëm që është krenaria jonë por edhe shtylla që mban të gjallë ekonominë dhe shpirtin e vendit tonë

Shkup, 23 dhjetor 2024

Të nderuar qytetarë, 

Sot flasim për një pjesë të pandarë të kombit tonë, diasporën shqiptare.

Ata janë jo vetëm krenaria jonë, por edhe shtylla që mban të gjallë ekonominë dhe shpirtin e vendit tonë. 

Me qindra miliona euro që dërgojnë çdo vit, diaspora ka ruajtur stabilitetin financiar të familjeve dhe ekonomisë tonë.

Ata janë gjaku i freskët i kombit, pjesë e çdo përpjekjeje e sakrifice që kemi bërë si popull për lirinë dhe të ardhmen tonë.

Por çfarë bëri kjo qeveri në kë 6 muaj degradimi? Në vend që të vlerësojë dhe të përqafojë këtë pjesë jetike të kombit, ata po i trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë.

Kjo qeveri ka zgjedhur t’i poshtërojë ata në mënyrën më të ulët të mundshme.

Mendoni për mijëra shqiptarë që lënë punët dhe familjet e tyre jashtë vendit për të ardhur në vendlindje dhe për të parë të dashurit e tyre.

Ata qëndrojnë me orë të tëra në kufij, në borë, në shi, me fëmijët e vegjël në makina, pas udhëtimesh të gjata e të lodhshme.

A është kjo mënyra si trajtojmë ata që kanë mbrojtur interesin dhe kanë mbajtur ekonominë tonë të gjallë?

Ata që kanë sakrifikuar gjithçka për të ndihmuar të afërmit e tyre këtu?

Kjo nuk është vetëm mungesë respekti; kjo është një tradhti e rëndë.

Diaspora shqiptare ka kaluar testin e patriotizmit.

Gjatë regjistrimit të fundit, ata u vetëorganizuan dhe u regjistruan masivisht, duke treguar dashurinë e tyre për vendin.

Ne miratuam një ligj që garanton përfshirjen e diasporës si pjesë e popullsisë totale, për shpërndarjen e drejtë të fondeve publike.

Kjo është e drejtë, sepse ata paguajnë taksa, dërgojnë remitanca, dhe kanë familje e pronësi këtu.

Por çfarë ka bërë kjo qeveri në gjashtë muajt e fundit?

Me një politikë të paprecedent, ata kanë ndërmarrë hapa për të përjashtuar diasporën.

Shpërndarja e fondeve publike nuk llogarit kontributin e diasporës.

Përfaqësimi i tyre në institucione është injoruar.

Numri i këshilltarëve komunalë bazohet në formula që përjashtojnë diasporën. Kjo është një goditje e qëllimshme, një përpjekje për të prerë lidhjen jetike që diaspora ka me vendin e vet.

Diaspora shqiptare kurrë më parë nuk është ndjerë kaq e tradhtuar nga qeveria e saj. Ky është një akt i qëllimshëm për të dëmtuar vitalitetin dhe shpirtin e kombit tonë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk do të qëndrojë indiferentë.

Do përpiqemi me çdo mjet demokratik për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e diasporës shqiptare.

Sepse diaspora nuk është thjesht një pjesë e kombit tonë – ata janë kombi ynë, zemra dhe forca jonë.

Dhe ata meritojnë të trajtohen me respektin, dinjitetin dhe dashurinë që kanë treguar gjithmonë për vendin e tyre. 

Ju faleminderit!

Bashkimi Demokratik për Integrim

_______________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR