BDI: Ashpër dënojmë kapjen sistematike të institucioneve të drejtësisë nga kjo qeveri
- Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër kapjen sistematike të institucioneve të drejtësisë nga kjo qeveri dhe konformizmin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë vënë në shërbim të politikës.
- Post By Besnik Shuki
- 08:35, 25 dhjetor, 2024
Shkup, 25 dhjetor 2024
Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër kapjen sistematike të institucioneve të drejtësisë nga kjo qeveri dhe konformizmin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë vënë në shërbim të politikës.
Ky trend shqetësues po minon shtetin e së drejtës dhe po shkatërron besimin e qytetarëve te institucionet që duhet të garantojnë drejtësi për të gjithë.
Vendimi i djeshëm i Prokurorisë për të liruar ata që u shpallën fajtorë për përpjekjen për grusht shteti më 27 prill, për të parandaluar zgjedhjen e Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit, me pranimin publik të vetë prokurorëve se atje ka drejtësi selektive ,nën presion politik dhe e gjithë kjo e bërë në një ditë feste me shpresën se do të kalojë pa u vërejtur nga bashkësia ndërkombëtare, është një pasqyrim i qartë i kësaj kapje.
Poashtu i drejtohemi Kryeministrit Mickoski: Çfarë ndodhi me "sheshin Tenderbeg,” siç e quante ai sheshin Skënderbeu për të cilin dikur akuzonte Izet Mexhitin?
Çfarë ndodhi me hetimin për 30 ndërtesat që u ndërtuan si “Titanikë arkitektonikë,” por që u antidatuan kinse të ndërtuara në vitin 2011, kur ishte në fuqi ligji për legalizimin?
Këto ndërtesa jo vetëm që janë simbol i abuzimit urbanistik, por po ngulfatin hapësirën jetësore të popullatës më të dendur në Evropë.
Kryeministër, ku janë hetimet për ministrin e “vdekjes,” siç e quanit ju Arben Taravarin që kishte marrë sipas jush dhuratë dy shtëpi për t’u bërë ministër në qeverinë tonë?
Apo ndoshta po përjetoni ju vetë një “sulm ankthi, dhimbje koke,” siç pretendoni për prokurorët, dhe për këtë arsye keni harruar të ndiqni akuzat për ministrat tuaj aktualë? Ministrat tuaj janë kthyer në vasalë të politikave tuaja antishtetërore, duke i shërbyer interesave personale dhe politike në vend që t’u shërbejnë qytetarëve.
Në vend që të përmirësoni sundimin e ligjit, ju e keni shndërruar atë në një karikaturë të drejtësisë. Në vetëm gjashtë muaj, keni arritur të minoni themelet e besimit qytetar duke futur një drejtësi selektive që shërben vetëm interesave tuaja politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të denoncojë dhe të luftojë këtë përpjekje të turpshme për të kapur shtetin dhe drejtësinë.
Qytetarët e vendit tonë meritojnë një drejtësi të vërtetë, të barabartë dhe të pavarur nga politika.
Bashkimi demokratik për Integrim
_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.