• e hënë, 23 dhjetor 2024

Banka Popullore me mbështetje për luftën kundër dhunës në familje

Banka Popullore me mbështetje për luftën kundër dhunës në familje

Shkup, 10 mars 2024 (MIA) - Të punësuarit në Bankën Popullore organizuan aksion humanitar, përmes të cilit shprehën mbështetje për luftën kundër dhunës në familje. Donacionin e të punësuarve për "Qendrën e krizës për kujdes të grave viktima të dhunës në familje - Shpresa", e cila 20 vite ofron mbështetje dhe ndihmë për gratë të cilat kalojnë në përvoja të rënda jetësore, e dorëzuan guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska - Bezhoska, zëvendësguvernatorja Ana Mitreska dhe përfaqësues të Sindikatës së të Punësuarve në Bankën Popullore. 

Gjatë vizitës në Qendrën e Krizës, ekipi i Bankës Popullore është njoftuar me sfidat me të cilat përballet shoqata dhe aktivitetet të cilat i ndërmarrin për ndihmë dhe mbështetje të grave viktima të dhunës. 

Në takim, siç bënë të ditur sot nga Banka Popullore, ishte theksuar nevoja e fuqizimit të mëtutjeshëm të të gjithë faktorëve shoqërorë për sfidat me të cilat përballen këto gra dhe procesin e gjatë dhe rolin e shoqërisë në rehabilitimin e tyre.

"Nevoja për përmirësim të mëtejshëm të kushteve duhet të jetë gjithashtu një arsye për të menduar se çfarë dhe ku mund të përmirësohet për të bërë ndryshime. Duhet t'i kushtojmë vëmendjen e duhur dhe të dërgojmë porosi të forta se me fuqizimin ekonomik, gratë viktima të dhunës në familje do ta thyejnë ciklin e dhunës shumë më lehtë dhe do të jenë më pak viktima. Nevojitet ndjeshmëri shumë më e madhe në lidhje me qasjen në punë për këtë kategori të ndjeshme të grave. Kjo nënkupton krijimin e masave për punësimin e tyre, bazuar në nevojat reale të grave, apo rikualifikimin e tyre profesional, rikualifikim që do të kontribuojë në integrimin dhe mbajtjen e tyre në tregun e punës", theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska, gjatë vizitës në Shoqatën "Qendra e krizës për kujdes të grave viktima të dhunës në familje-Shpresa". fc/

Fotografia: Banka Popullore

 

QËNDRONI TË LIDHUR