Bajdeni e quajti "historike" marrëveshjen e arritur të KOP29
- Presidenti amerikan Xho Bajden e quajti "historike" marrëveshjen për financimin e vendeve të varfra në luftën kundër ndryshimeve klimatike, të arritur në konferencën e KB-së për klimën (KOP29) në Azerbejxhan, lajmëroi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 11:20, 24 nëntor, 2024
Uashington, 24 nëntor 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden e quajti "historike" marrëveshjen për financimin e vendeve të varfra në luftën kundër ndryshimeve klimatike, të arritur në konferencën e KB-së për klimën (KOP29) në Azerbejxhan, lajmëroi DPA.
"Askush nuk mund ta ndalojë tranzicionin drejt energjisë së pastër që po zhvillohet aktualisht në SHBA," tha Bajden.
Në kumtesën e presidentit amerikan, të publikuar sot, thuhet se marrëveshja e arritur në Baku vendos një objektiv ambicioz në sferën e financimit të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Bajden vuri në dukje se marrëveshja do të ndihmojë në mobilizimin e financave në nivele të ndryshme dhe krijimin e një tregu për automobilat elektrik amerikan dhe produkte të tjera.
Duke aluduar tek presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp, i cili është zotuar të rrisë prodhimin e naftës pas marrjes së detyrës më 20 janar, Bajden tha se "derisa disa po përpiqen të mohojnë ose ngadalësojnë revolucionin e energjisë së pastër që po ndodh në Amerikë dhe në botë, askush nuk mund ta ndalojë atë".
Në Konferencën e KB-së për Ndryshimet Klimatike (KOP29) në Azerbajxhan, e cila përfundoi herët këtë mëngjes, pjesëmarrësit arritën një marrëveshje për të ofruar 300 miliardë dollarë në vit për vendet më të varfra për t'i ndihmuar ata të përballen me ndryshimet klimatike.
Përveç premtimit prej 300 miliardë dollarësh, kombet ranë dakord që 1.3 trilion dollarë nevojiten deri në vitin 2035 për të ndihmuar në parandalimin e ndryshimeve klimatike. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s