• e shtunë, 23 nëntor 2024

Arrihet bashkëpunimi, në vjeshtë do të mbahet "Java e Teatrit të Kosovës në Beograd"

Arrihet bashkëpunimi, në vjeshtë do të mbahet

Beograd, 3 korrik 2024 (MIA) - Qendra Multimedia nga Prishtina ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar në Beograd, për organizimin e javës së teatrit të Kosovës në Beograd, që do të mbahet këtë vjeshtë, njoftoi Qendra Multimediale nga Prishtina.

Siç njoftoi Qendra Multimedia, ndërsa transmetoi Abanianpost, memorandumi është nënshkruar nga drejtori i Teatrit Kombëtar në Beograd, Svetislav Gonçiq dhe nga drejtori i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Jeton Neziraj.

"Kjo ngjarje është e jashtëzakonshme dhe historike, që shënon një avancim të raporteve kulturore mes Kosovës e Serbisë. Arritja e këtij memorandumi nuk ka qenë proces i lehtë. Negociatat janë zhvilluar për rreth dy muaj rresht, në Prishtinë dhe në Beograd. Në këta dy muaj negociata, u janë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve administrative e politike, të cilat shpesh nuk kanë qenë edhe aq të lehta. Mes këtyre çështjeve problematike ka qenë edhe çështja e pagesave dhe transaksioneve bankare për artistët e përfshirë”, thuhet më tej.

Në njoftimin shprehet keqardhje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, pas mbajtjes së tij për një dekadë.

Drejtori Gonçiq theksoi se është i vetëdijshëm për peshën kulturore e politike që ka një veprim i tillë, por është i gatshëm t’i bart mbi supe pasojat.

“Nga Ministria e Kulturës në Beograd më thanë që shqiptarët nuk kanë teatër. Por ata e kanë gabim. Shfaqjet e tyre mund të mos jenë të cilësisë së lartë artistike, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ne po ua japim dorën e pajtimit, po ua ofrojmë skenën tonë që ata të prezantojnë vallet e tyre, traditën. E di që shqiptarët kanë folklor të mahnitshëm”, tha Gonçiq.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Multimedia, Neziraj, tha se është i emocionuar për këtë arritje, të cilën e konsideroi si historike.

“Për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në Beograd do të prezantohen shfaqje nga Kosova. Për tri ditë me radhë, Beogradi do të frymojë shqip. Kemi pasur shumë mosmarrëveshje dhe mospajtime, por të gjitha janë tejkaluar falë vullnetit tonë për kompromis. Ky është teatri, kjo është forca e teatrit”, shtoi Neziraj.

Nga qendra “Multimedia”, paralajmëruan se programi i plotë i shfaqjeve do të prezantohen javët në vijim. bsh/

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR