• e diel, 22 dhjetor 2024

Arkiva e Shqipërisë kremtoi 75- vjetorin e themelimit, vlerësohet lartë partneriteti me ITSHKSH-në

Arkiva e Shqipërisë kremtoi 75- vjetorin e themelimit, vlerësohet lartë partneriteti me ITSHKSH-në

Shkup, 10 qershor 2024 (MIA) - Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) kremtoi 75-vjetorin e themelimit të saj. Nga data 5-9 qershor në Tiranë, Krujë e Elbasan u zhvilluan aktivitete të shumta me pjesëmarrje të drejtuesve të arkivave të Egjiptit, të Turqisë, të Izraelit, të vendeve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Jugore, studiuesve dhe mjaft personaliteteve të tjera.

Në shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm mori pjesë edhe ITSHKSH nga Shkupi, përfaqësuar nga drejtori Prof. Dr. Skender Asani, i cili në paraqitjet e tij përcolli mesazhe bashkëpunimi dhe bashkërendimi në mes të institucionit që ai drejton dhe institucioneve homologe nga Tirana dhe Prishtina.

Për të kujtuar rolin dhe kontributin e Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në një ceremoni kremtuese mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Një fjalë rasti mbajti Presidenti Begaj, i cili përshëndeti përparësitë që ka mundësuar implementimi i teknologjisë së digjitalizimit në ruajtjen e kujtesës tonë kombëtare. “Institucioni juaj ka një peshë të veçantë dhe të rëndësishme në krijimin e kujtesës sonë kolektive dhe të ndërgjegjes kombëtare. Kjo kujtesë e sistemuar në mbi 100 milionë dokumente, në 13 arkiva të shtetit, ku gjenden xhavahirë të rrallë, si Fondi i Kodikëve Mesjetarë të Beratit, janë lidhja jonë me lashtësinë dhe traditën e vendeve të tjera europiane. Studimi i tyre nga studiuesit dhe historianët, vendas dhe të huaj, na ndihmon të kuptojmë rrënjët tona, të vlerësojmë përpjekjet e brezave të mëparshëm dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë mbi këtë bazë të fortë. Implementimi i teknologjisë së digjitalizimit në arkivën shtetërore ka qenë një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së dokumenteve dhe lehtësimit të aksesit të publikut ndaj tyre. Investimi në kujtesë kolektive, në infrastrukturën dhe burimet njerëzore të arkivave, është imperativë për kombin tonë, për shqiptarinë, për të ardhmen.", u shpreh kreu i shtetit shqiptar. Me këtë rast drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, vuri theksin tek dobitë e procesit të digjitalizimit të dokumenteve, që krahas ruajtjes së lëndës arkivore, bën të mundur aksesin e barabartë të qytetarëve në informacion, pavarësisht vendodhjes. “Nëse do të shohësh konsolidimin real të një vendi duhet të shohësh pasqyrën e vet, vendin ku ruhen aktet administrative. Ndaj, nuk është rastësore që arkivi ka kaluar fazat e veta. Mosekzistencën fillestare, mbylljen totale gjatë regjimit komunist dhe një kalim të ngadaltë drejt konsolidimit pas viteve 1990. Sikurse Shqipëria, edhe Arkivi në vitet e fundit është në rrugën e konsolidimit total, duke vijuar përpjekjet e nisura më herët. Nëse në vitin 2018 kishte 500 mijë dokumente të skanuara, sot ka 15 milionë në vetëm pak vite. Ky proces digjitalizimi ka bërë të mundur që të shmangim shërbimin e lëndës arkivore në original për studiuesit dhe të shtojmë mundësitë e shërbimit të dokumenteve edhe jashtë, pavarësisht vendit se ku studiuesi ndodhet. Sot kemi nga Haniaja në Kretë e deri në Mitrovicë dhe nga Palermo e Cosenza e arbëreshëve deri në Manastirin e Alfabetit, nga Saranda deri në Istog, sallat tona të studimit. Aktualisht janë mbi 60 salla studimi të hapura në Ballkan dhe në Italinë e Jugut, që mundësojnë shërbimin e lëndës arkivore njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë.”, tha Bido.

Duke u përfshi në diskutimet e përbashkëta dhe të veçanta, drejtori i ITSHKSH, Prof. dr. Skender Asani nga Shkupi përçoi gatishmërinë institucionale për një bashkëpunim substancial në fushën e studimeve albanologjike përfshi edhe arkivistikën. Në prezantimin që ia bëri Institutit që ai drejton, drejtori Asani njoftoi kolegët nga rajoni dhe më larg me profilin dhe strukturën organizative të ITSHKSH, duke veçuar me këtë rast fushat kryesore, si: historia, gjuhësia, letërsia, folklori dhe etnografia dhe duke specifikuar tri shtyllat fundamentale, gjegjësisht tre departamente, mbi të cilat bazohet misioni shkencor, kulturor e human i ITSHKSH, siç janë: Departamenti për ruajtjen dhe studimin e figures së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, Departamenti për edukimin dhe studimin e Holokaustit dhe Departamenti i marrëdhënieve shqiptaro-osmane, me theks të posaçën kontributi i rilindasve shqiptarë, në krye me vëllezërit Frashëri në avancimin e kauzës shqiptare në kohën e Prerandorisë Osmane. Drejtori Asani gjithashtu ka folur edhe për rëndësinë që kanë arkivat dhe dokumentet në ruajtjen ekujtesës historike, tha se ndonëse shtete e ndryshme mund të kenë konflikte në mes veti, por arkivat e zhvillojnë veprimtarinë e tyre pavarësisht natyrës së konflikteve duke ruajtur kujtesën e popullit tjetër përmes dokumenteve e artefakteve të ndryshme. Me këtë rast drejtori Asani ka paralajmëruar se edhe ITSHKSH në të ardhmen do të krijoj arkivin e vet , i cili do t’iu shërbente studiusve dhe qytetarëve të interesuar të kenë akces më të lehtë dhe më professional në dokumente dhe lëndë të ndyrshme arkivore. Aktivitetet për shënimin e75 vetorit të themelimit të Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë u përmbyllën me mbajtjen e Konferencës së VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, ku bashkëorganizator është edhe ITSHKSH. Në fjalën e tij hapëse në këtë konferencë, drejtori i përgjitshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido u shpreh se nëpërmjet kësaj konference mundësohet shkëmbimi i ideve dhe bashkëndarja e rezultateve të arkivistikës në nivel kombëtar. "8 vite më parë krijuam këtë institucion të rëndësishëm që bashkon arkivistët nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga të gjitha trevat shqiptare për të shkëmbyer ide, për të bashkëndarë punën tonë, për të arritur që në fushën e arkivistikës ne të funksionojmë si ‘një’. Sepse në arkivistikë gjuha është e rëndësishme. Kufijtë shtetërorë dhe politikë ne i respektojmë, mbi ato veprojmë mirëpo kur vjen fjala për kulturën, për trashëgiminë kulturore, për historinë, për arsimin, për arkivistikën, ne nuk mund të jemi të ndarë”, nënvizoi Bido.

Ndërkaq në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i ITSHKSH-së, Skënder Asani u shpreh se në sajë të kësaj konference, evidentohen pasuri arkivore që meritojnë të ekspozohen edhe më gjerë. “Para 8 vitesh, filloi një etapë shumë e rëndësishme që politika nuk e bëri. Që para 8 viteve u mblodhën këto tre institucione të Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit. Edhe Shkupi do të krijojë arkivin e tij, me ndihmën e arkivit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Duhet të jemi të përgatitur që këto vlera dhe këto pasuri arkivore që kanë shqiptarët, t’ia tregojme botës mbarë”, tha Asani, i cili në vazhdim vuri në dukje rëndësinë e ngjarjeve të dalluara historike dhe lidhshmërinë e tyre me qytetet tona, siç është Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastrirti dhe Kongresi i Elbasanit, ngjarje këto që përveç që shënonin kthesë në ecurinë tonë kombëtare e historike, ato identifikonin edhe gjeografinë e etnisë dhe kujtesës shqiptare.

Në margjinat e aktiviteteve të mësipërme, drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani, zhvilloi edhe takime të ndara me disa personalitete dhe familje të shquara në Tiranë, përfshi shkrimtarin e famshëm Ismail Kadare, botuesin dhe shkrimtarin Mujo Buçpapja, Arqipeshkëvin Metropolitan Tiranë- Durrës, imzot Arjan Dodajn, ambasadorin Skender Durmishi, si dhe familjet emblematike Qiarizi-Dako dhe Luarasi. E përbashkëta e këtyre takimeve ishte se kontributi që po jep ITSHKSH, siç u shprehën bashkëbiseduesit, kalon kufijtë e ngusht brenda të cilëve ai vepron, dhe shkon në përmasa më të gjera gjeografike, etnike e gjuhësore. Për rrjedhojë, siç premtoi drejtori Asani, kjo ka ndikuar që në të ardhmen të zhvillohen veprimtari përtej këtyre përmasave, duke zgjeruar gamën e përfaqësimit të më shumë fushave të interesimit shkencor e kulturor.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR