Aragçi drejtuar Gutereshit: Irani do t'i përgjigjet çdo sulmi izraelit
- Ministri ranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, ka biseduar në telefon me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, në mes të tensioneve të larta në rajon, ku ministri iranian paralajmëroi se Irani do t'i përgjigjet me vendosmëri çdo sulmi izraelit, transmetojnë mediat franceze.
Teheran, 16 tetor 2024 (MIA) – Ministri ranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, ka biseduar në telefon me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, në mes të tensioneve të larta në rajon, ku ministri iranian paralajmëroi se Irani do t'i përgjigjet me vendosmëri çdo sulmi izraelit, transmetojnë mediat franceze.
"Irani po bën përpjekje të konsiderueshme për të mbrojtur paqen dhe sigurinë në rajon, por është plotësisht i përgatitur për t'iu përgjigjur me vendosmëri çdo sulmi të Izraelit dhe për ta bërë atë të pendohet", theksohet në kumtesën e Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, të publikuar sot.
Më 1 tetor, Irani gjuajti rreth 200 raketa në drejtim të Izraelit, duke përfshirë disa hipersonike. Irani kumtoi në atë kohë se sulmet ishin në hakmarrje për vrasjet e liderëve të Hezbollahut të Libanit, Hasan Nasrallah dhe të Hamasit të Palestinës, Ismail Hania, për të cilat Izraeli u fajësua.
Nga ana e tij, ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant paralajmëroi Iranin se përgjigja e Izraelit do të ishte "vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese".
Ditët e fundit, ministri iranian i Punëve të Jashtme ka zhvilluar një sërë konsultimesh në rajon në përpjekje për të qetësuar situatën. Aragçi brenda pak ditësh e vizitoi Libanin, Sirinë, Arabinë Saudite, Katarin, Irakun dhe Omanin.
Ministria iraniane e Punëve të Jashtme kumtoi se Aragçi sot do të vizitojë Jordaninë dhe më pas do të udhëtojë në Egjipt dhe Turqi. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s