• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Angelovska Bezhoska-Rokas: Pavarësia e Bankës Popullore është e rëndësishme për kredibilitetin e politikave që ajo udhëheq

Angelovska Bezhoska-Rokas: Pavarësia e Bankës Popullore është e rëndësishme për kredibilitetin e politikave që ajo udhëheq

Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA) - Pavarësia e Bankës Popullore është e rëndësishme për mbajtjen e kredibilitetit të lartë që ajo gëzon në opinion, si dhe për zbatimin e politikave për mbajtjen e stabilitetit financiar dhe të çmimeve. Banka Popullore vazhdimisht bën përpjekje për nivel më të lartë të transparencës në të gjitha segmentet e punës së saj, me qëllim që ta mbajë besueshmërinë e lartë. Kjo, siç informojnë nga Banka Popullore, u theksua në takimin ndërmjet guvernatores Anita Angelovska-Bezhoska dhe Mihalis Rokas, ambasadorit të Bashkimit Evropian në vend, me ç'rast u theksua se politika monetare është harmonizuar lartë me rregulloren evropiane, që është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se banka qendrore edhe më tutje mban politikë monetare të kujdesshme me qëllim që të sigurohet stabiliteti financiar. Banka Popullore plotësisht do ta forcojë edhe rezistencën e sistemit bankar përmes masave dhe kërkesave rregullatore dhe do t'i avancojë kapacitetet e saj institucionale për ballafaqim më të mirë me trendet dhe sfidat botërore.

Ambasadori, sërish, shprehu mbështetje për përpjekjet e Bankës Popullore për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të vendit në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA). Duke e marrë parasysh shkallën e lartë të harmonizimit të kornizës juridike, pritet vlerësim pozitiv i cili do t'i mundësojë vendit tonë të inkuadrohet së shpejti në SEPA.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska dhe euroambasadori Rokas diskutuan edhe për disa çështje aktuale të cilat janë pjesë e dialogut të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili udhëhiqet në bazë të Programit të dorëzuar për reforma ekonomike 2024-2026 nga ana e vendeve kandidate. sa/

foto: Banka Popullore

QËNDRONI TË LIDHUR