Angellovska-Bezhoska takoi drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për fqinjësi dhe zhvillim të KE-së, Gert Jan Kopman
- Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska zhvilloi takim me Gert Jan Kopman, drejtor i Drejtorisë për fqinjësi dhe zhvillim dhe Elena Flores, zëvendësja e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për çështje ekonomike dhe financiare e cila mbahet në Bruksel të Belgjikës.
- Post By Fami Bajrami
- 12:43, 15 tetor, 2024
Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) - Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska zhvilloi takim me Gert Jan Kopman, drejtor i Drejtorisë për fqinjësi dhe zhvillim dhe Elena Flores, zëvendësja e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për çështje ekonomike dhe financiare e cila mbahet në Bruksel të Belgjikës.
Siç informon Banka popullore e Maqedonisë së Veriut, temë e takimit ka qenë një nga prioritetet e Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht kërkesat e vendeve anëtare në sferën e vetme për pagesa në euro (SEPA).
"Kërkesa jonë zyrtare për anëtarësim në SEPA është dorëzuar në korrik të këtij viti dhe vijoi ndryshimi i gjerë i legjislacionit dhe rregulloreve në fushën e rregullores së shërbimeve të pagesave, sistemin bankar dhe parandalimin e pastrimit të parave, për shkak të funksionimit të kuadrit ligjor evropian. Duke pasur parasysh atë se vendimin përfundimtar për anëtarësimin e vendeve në SEPA e sjell Bordi ekzekutiv i Këshillit Evropian për pagesat, ndaj duke u bazuar në opinionin e Komisionit Evropian u mbajt një takim edhe me Drejtorin e përgjithshëm të Këshillit, Xhorxho Andreoli. Në takimet, në të cilat morën pjesë edhe guvernatorë të tjerë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor u shpreh mbështetja për angazhimin e bankave qendrore për harmonizimin e kuadrit ligjor kombëtar me atë evropian, që është parakusht për anëtarësim në SEPA", theksohet në kumtesë.
Me anëtarësimin në SEPA, siç u theksua, krijohen kushte për lidhjen teknike të ofruesve të shërbimeve të pagesave (bankat dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave jo bankare) dhe të sistemeve të pagesave me infrastrukturën e pagesave të Bashkimit Evropian, gjë që do të mundësojë ulje të ndjeshme të shpenzimeve të pagesave ndërkufitare në euro, ndërsa njëkohësisht do të thjeshtësohet procedura dhe do të shkurtohet koha e ekzekutimit të tyre, pra pagesat do të kryhen në të njëjtën mënyrë si pagesat në BE.
"Pas miratimit të kërkesës sonë, presim që bankat ta shfrytëzojnë këtë mundësi në mënyrë aktive duke iu bashkuar sistemeve evropiane, me qëllim të uljes së shpenzimeve dhe rritjes së shpejtësisë së pagesave për qytetarët dhe kompanitë", thuhet në kumtesën e Bankës Popullore.
Foto: Banka Popullore