Andonovski: Kemi ndaluar mbi 240 ueb faqe për organizimin e lojërave të fatit onlajn, kështu i mbrojmë të rinjtë, e mbrojmë vendin
- Ministri i Transformimit Digjital dhe Sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar në VMRO-DPMNE, Stefan Andonovski, sonte theksoi se në periudhën e kaluar kanë ndaluar mbi 240 ueb faqe për organizimin e lojërave të fatit onlajn sepse nuk e kanë respektuar rendin juridik të RMV-së.
Shkup, 30 korrik 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital dhe Sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar në VMRO-DPMNE, Stefan Andonovski, sonte theksoi se në periudhën e kaluar kanë ndaluar mbi 240 ueb faqe për organizimin e lojërave të fatit onlajn sepse nuk e kanë respektuar rendin juridik të RMV-së.
"Mbi 240 ueb faqe të ndaluara, si vendase ashtu edhe të huaja, të cilat nuk kanë aplikuar dhe nuk kanë kërkuar kurrë licencë për të organizuar lojëra fati onlajn në Maqedoni. Shpesh e marr këtë pyetje - pse keni ndaluar ndonjë nga ato të famshmet, të nivelit botëror? Sepse nuk e respektojnë rendin juridik të RMV-së, as nuk kanë aplikuar për leje dhe nuk janë informuar nëse mund të organizojnë disi lojëra fati onlajn për qytetarët e Maqedonisë dhe në të njëjtën kohë i keqpërdorin të dhënat e qytetarëve. Shpesh ato të dhëna janë përdorur për shitje, mjetet e tyre nuk kanë qenë të sigurta dhe në atë drejtim është edhe ndales e organizatorëve të paligjshëm onlajn të lojërave të fatit. Kjo është vala e tretë në të cilën kemi ndaluar rreth 50 të reja, theksoi ministri Andonovski në paraqitjen e sotme në "Vesti Plus" në Televizionin Kanal 5.
Andonovski informoi se Ministria e Financave është duke përgatitur një Ligj të ri për Lojërat e Fatit, i cili, siç tha, pritet të ofrojë një kornizë më serioze dhe gjithëpërfshirëse.
"Do të vazhdojmë me analizën dhe do t'i ndalojmë të gjitha ato që i gjejmë pa asnjë hezitim, sepse këto janë faqet që po shkaktojnë pandeminë e lojërave të fatit, veçanërisht midis të rinjve të cilët nuk mund të hyjnë ligjërisht në një bastore ose kazino për të marrë pjesë në lojëra fati, kështu që përdorin kartat e identitetit ose kartat e kreditit të prindërve ose të afërmve të tyre për të luajtur lojëra fati ilegalisht në internet. Në këtë mënyrë, ne i mbrojmë të rinjtë, ne e mbrojmë vendin, dhe me Ligjin e ri për Lojërat e Fatit që po përgatit Ministria e Financave, do të kemi një kornizë më serioze, më gjithëpërfshirëse në këtë fushë. Ky ishte veprimi ynë në mënyrë që të mos prisnim që ndryshimet në këtë Ligj të vendosnin një rend në organizimin onlajn të lojërave të fatit. Por nuk po ndalemi këtu. Me ndryshimet e reja në Ligj, ne do të vazhdojmë me këtë qasje, sepse është në rregull që lojërat e fatit të ekzistojnë, është në rregull që ato të jenë argëtuese, por ato nuk mund të jenë një pandemi që përfaqëson një sëmundje dhe varësi më të madhe se çdo varësi tjetër në vend", tha ministri Andonovski. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s