ANA-MPA: Koçani sot i varrosë viktimat nga tragjedia që ndodhi në klubin e natës
- Vend në zi, trishtim i pafund i përzier me zemërim dhe një “pse” që shoqëron çdoherë kur përmendet tragjedia. Maqedonia e Veriut sot i ka varrosur viktimat nga zjarri të një klubi të natës në Koçan, që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të dielën dhe kjo është tema e vetme jo vetëm në lajme, por edhe tek bisedat mes njerëzve në rrugë.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:54, 20 mars, 2025

Athinë, 20 mars 2025
ANA - MPA
Vend në zi, trishtim i pafund i përzier me zemërim dhe një “pse” që shoqëron çdoherë kur përmendet tragjedia. Maqedonia e Veriut sot i ka varrosur viktimat nga zjarri të një klubi të natës në Koçan, që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të dielën dhe kjo është tema e vetme jo vetëm në lajme, por edhe tek bisedat mes njerëzve në rrugë.
Pasi të kalohet kufiri përmes pikës Evzoni në Maqedoninë e Veriut, flamujt përgjatë rrugës valëviten në gjysmështizë, ndërsa ritmi dikur i gjallë i muzikës ballkanike në radio ua ka lënë vendin tingujve të trishtuar, duke iu përshtatur atmosferës.
Në pikën e karburantit jashtë Gjevgjelisë, arkëtarja përpiqet të mbaj lotët kur ne i kërkojmë asaj udhëzime për në Koçan.
“Ne humbëm fëmijët tanë, kjo që po kalojmë është e paimagjinueshme”, thotë ajo, ndërsa punonjësi që sapo na mbushi rezervuarin shtoi: “Çfarë tragjedie, është sikur të kishim luftë”.
Sapo i afrohemi Koçanit, prania e policisë shtohet, duke u dhënë udhëzime atyre që duan të afrohen deri te varrezat, ku pak më vonë do të ndodhë akti i fundit i një tragjedie që rajoni nuk e ka parë kurrë më parë, siç tha për ANA-MPA një banor i qytetit i cili gjendet rreth 100 kilometra nga kryeqyteti Shkupi.
"Sot nuk është koha për fjalë, është koha për heshje për fëmijët tanë të vdekur", shtoi, ndërsa shkoi drejt vendit ku u hapën 24 varre krah për krah për të vdekurit. "Sipër janë edhe 7-8 varre të shpërndara”, na shpjegoi ai dhe na kërkoi të jemi të matur për dhimbjen e të afërmve, sepse ka shqetësime për shkak të disa fotove që siç tha ai, janë bërë publike në 24 orët e mëparshme. Diçka që vumë re teksa ecnim drejt zonës së posaçme për përfaqësuesit e mediave, në cep të varrezave, kur një makinë, me të parë kamerën, ndaloi në mes të rrugës dhe tha me zë të lartë: "No photos".
Pranë varreve të sapohapura është ngritur një platformë, ndërsa në një cep presin me durim rreth 20 punonjës. Gjithashtu, ekipet e Kryqit të Kuq janë në gatishmëri për çdo rast, ndërkohë që gazetarët dhe profesionistët e tjerë të mediave nga vendet fqinje plotësojnë pamjen e varrezave, ndërsa policia vazhdimisht jep udhëzime.
Më shumë se 59-të viktima nga tragjedia janë nga Koçani, ku sot do të bëhet varrimi i tyre në mesditë, në një atmosferë veçanërisht të vështirë të cilin do ta udhëheq kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, z.z.Stefan. Varrimi i disa prej viktimave do të bëhet më herët në Shtip. Ajo që është e sigurt është se kjo plagë nuk do të shërohet shpejt. Dhe nuk do të harrojmë", tha një banor i Koçanit mes vullnetarëve të shumtë në vend i veshur me bluza të zeza ku shkruhej: "Pusho në paqe, engjëlli im i dashur". qa/
Foto: MIA