Ançeloti pret El Klasiko të “paparashikueshme” për Superkupën e Spanjës
- Tifozët duhet të presin një ndeshje të “paparashikueshme” kur Real Madridi do të përballet me Barcelonën në finalen e Superkupës së Spanjës të dielën, deklaroi trajneri i Los blankos, Karlo Ançeloti, pasi ekipi i tij eliminoi Majorkën në gjysmëfinale.
- Post By Fami Bajrami
- 08:50, 10 janar, 2025

Xheda, 10 janar 2025 (MIA) - Tifozët duhet të presin një ndeshje të “paparashikueshme” kur Real Madridi do të përballet me Barcelonën në finalen e Superkupës së Spanjës të dielën, deklaroi trajneri i Los blankos, Karlo Ançeloti, pasi ekipi i tij eliminoi Majorkën në gjysmëfinale.
Xhud Belingem dhe Rodrigo shënuan në pjesën e dytë për të ndihmuar Realin të mposhtë Majorkën me rezultat bindës 3-0, pasi Barcelona mundi 2-0 Atletik Bilbaon në gjysmëfinalen tjetër.
"El Klasiko është e paparashikueshme kohët e fundit. Kishte ndeshje që i fituam lehtësisht, si 4-1 vitin e kaluar në Superkupë. Ne gjithashtu fituam dy herë nga 4-0 në 'Kamp Nou', ndërsa ata fituan 4-0 në 'Santiago Bernabeu'. Është e vështirë të parashikohet se si do të jetë ndeshja e radhës, sepse do të ketë shumë cilësi në fushë. Natyrisht që duam të jemi më të mirë se Barcelona”, ka thënë Ançeloti pas ndeshjes me Majorkën.
Reali e përfundoi ndeshjen pa mesfushorin Aurelien Çuameni i cili u zëvendësua nga Raul Asensio në fillimin e pjesës së dytë pas një përplasje kokë më kokë me një nga mbrojtësit e Majorkës.
Belingemi dukej i lodhur në minutat e fundit, por e përfundoi ndeshjen, ndërsa Valverde u zëvendësua në 15 minutat e fundit nga Dani Sebalos.
"Mjeku preferoi ta nxirrte nga fusha Çuamenin, sepse ishte një goditje në kokë. Belingemi dhe Valverde ishin shumë të lodhur. Nuk prisnim një ndeshje kaq të nxehtë dhe kjo ndikoi në ritmin e lojës”, ka thënë Ançeloti.
Foto: arkivi