Ançeloti javën e ardhshme në gjyq për mashtrim tatimor
- Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti, javën e ardhshme do të ballafaqohet me akuza për mashtrim tatimor, njoftoi sot Gjykata e lartë e drejtësisë në Madrid.
- Post By Besnik Shuki
- 18:46, 28 mars, 2025

Madrid, 28 mars 2025 (MIA) – Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti, javën e ardhshme do të ballafaqohet me akuza për mashtrim tatimor, njoftoi sot Gjykata e lartë e drejtësisë në Madrid.
Trajneri italian, ndaj të cilit prokuroria kërkoi dënim me burg prej katër vjet e nëntë muaj, akuzohet se ka mashtruar thesarin spanjoll për më shumë se një milion euro mes viteve 2014 dhe 2015, duke mos deklaruar të ardhurat nga të drejtat komerciale.
Sipas zëdhënësit të gjykatës së Madridit, trajneri italian është i detyruar të marrë pjesë në gjyq.
"Atë që mund të them është se kjo është histori e vjetër, që shpresoj se do të zgjidhet së shpejti”, tha Ançeloti, duke komentuar procesin e ardhshëm gjyqësor kundër tij.
Sipas autoriteteve spanjolle tatimore, Ançeloti paraqiti tek autoritetet tatimore të ardhurat e tij si trajner të Real Madridit në 2014 dhe 2015, por jo të ardhurat nga të drejtat autoriale ose burime tjera të ardhurash, përfshirë pasuritë e patundshme.
Prokurori i shtetit një vit më herët deklaroi se të ardhurat që trajneri italian fitoi nga shitja e të drejtave të tij ishin 1,24 milionë euro në 2014 dhe 2,96 milionë euro në 2015.
Ançeloti ishte trajner i Real Madridit nga viti 2013 deri në 2015 dhe u kthye në klubit mbretëror në 2021. bsh/
Foto: Iks