Ambasadori i BE-së Rokas për vizitë në Resnjë dhe në nisjen e punimeve ndërtimore në pikën kufitare të Markova Nogës
- Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, sot dhe nesër do të vizitojë komunën e Resnjës dhe zonën e Liqenit të Prespës, me qëllim që t'i prezantojë përfitimet e dukshme të ndihmës së BE-së në jetën e përditshme të qytetarëve.
- Post By Sara Ademi
- 08:09, 11 mars, 2025

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, sot dhe nesër do të vizitojë komunën e Resnjës dhe zonën e Liqenit të Prespës, me qëllim që t'i prezantojë përfitimet e dukshme të ndihmës së BE-së në jetën e përditshme të qytetarëve.
Siç njofton Zyra e BE-së në Shkup, sot ambasadori Rokas do të takohet me kryetarin e komunës së Resnjës, Jovan Tozievski, si dhe me Këshillin e Komunës.
Nesër ambasadori i BE-së do të vizitojë rajonin e Prespës ku do të njoftohet për projektet e financuara nga Bashkimi Evropian. Në Carev Dvor, ai do të vizitojë shkollën fillore "Braqa Milladinovci", e cila ka rritur efikasitetin e saj energjetik përmes granteve të financuara nga BE-ja, dhe më vonë do të vizitojë kishën "Shën Petka" në Brajçino, ku do të ruhen afresket si pjesë e ACT4PRESPA, një projekt ndërkufitar i financuar nga BE për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në zonën e Liqenit të Prespës.
Vizita, siç është paralajmëruar, do të përfundojë me një manifestim të nivelit të lartë, në të cilin kryeministri Hristijan Mickovski, ambasadori i BE-së, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së Armen Grigorjan dhe anëtarë të Qeverisë do të shënojnë zyrtarisht fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit doganor në pikën e re kufitare Markova Noga-German.
"Punimet, me vlerë prej 2 milionë euro, janë pjesë e programit financiar EUforPrespa, i cili kap vlerën e 21.5 milionë eurove. Nga këto, 18 milionë euro, ose 84 për qind janë siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa pjesa tjetër vjen nga buxheti kombëtar. BE-ja për Prespën zbatohet përmes 2 marrëveshjeve kontributive të nënshkruara me UNDP-në. Pajisjet duhet të dorëzohen dhe instalohen nga administrata kombëtare doganore. Rindërtimi i ndërtesës së policisë do të mbulohet nga një pjesë e programit Interreg IPA Greqi - Maqedonia e Veriut të financuar nga BE (në total 7,73 milionë euro, përfshirë 1,2 milionë euro nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe 114,136 euro nga Komuna e Resnjës) për financimin e punimeve ndërtimore nga të dyja anët. Vendkalimi kufitar pritet të hapet në vitin 2028", theksohet në kumtesë. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s