Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Vendi pa institucione kyçe nuk është partner në të cilin mund të mbështeteni
- E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati deklaroi sot se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.
- Post By Melahat Baftija
- 19:47, 5 gusht, 2025
Prishtinë, 5 gusht 2025 (MIA) - E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati deklaroi sot se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.
Në një intervistë për "Gazetën Express", ajo tha se Administrata Tramp “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.
Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.
Pratipati tha se “udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se ngërçin politik duhet ta zgjidhin po ata. "SHBA-ja mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”.
Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, diplomatja amerikane thotë se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga Administrata Tramp.
Kur u pyet pse nuk pati asnjë përpjekje për ndërmjetësim nga bashkësia ndërkombëtare për të bindur palët të formojnë institucione, siç ishte rasti në të kaluarën, Pratipati tha se Kosova nuk ishte më në një fazë shtetndërtimi.
Ajo tha se "udhëheqësit e Kosovës u zgjodhën për të zgjidhur sfidat e vendit të tyre" dhe se "kjo do të thotë se ata duhet të punojnë së bashku për të gjetur një kompromis".
"Është përgjegjësi e liderëve politikë të zgjidhin këtë bllokim. SHBA-ja mund të ofrojë mbështetje, por nuk mund të marrin vendime në vend të liderëve ose popullit të Kosovës", tha ajo.
Ajo vlerësoi se partitë politike serbe në Kosovë përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi.
"Ata janë pjesë e peizazhit politik të Kosovës dhe nuk duhet të ndalohen nga pjesëmarrja politike", tha ajo.
Sipas saj, të gjitha partitë duhet të mbështesin të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
"Kjo do të thotë parandalimi i çdo përpjekjeje për të përjashtuar partitë serbe në Kosovë nga zgjedhjet. Përdorimi i trukeve administrative ose procedurale për të parandaluar partitë ose individët e kualifikuar nga kandidimi do të dëmtonte rezultatet (e zgjedhjeve)", tha ajo.
E pyetur në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Kosovë, ajo tha se lëvizjet që rrisin tensionet në rajon po pengojnë punën e SHBA-së me Kosovën.
Ajo deklaroi se “qeveria e kryeministrit (Albin) Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe, pa koordinim me komunitetet e prekura, si dhe për njoftimin e hapave të njëanshëm për të zhvendosur arsimin dhe kujdesin shëndetësor në sistemin e Kosovës”, tha ajo.
“Nuk e vëmë në dyshim që këto institucione përfundimisht do të duhet të integrohen, por mënyra se si bëhet kjo është kyçe”, tha Pratipati. mb/