• e hënë, 30 dhjetor 2024

Aliu: Sistematizim maksimum dy herë në vit, nuk ka më punësime të përkohshme dhe ndryshim të grafës me përkatësi etnike

Aliu: Sistematizim maksimum dy herë në vit, nuk ka më punësime të përkohshme dhe ndryshim të grafës me përkatësi etnike

Shkup, 16 tetor 2023 (MIA) - Nuk ka më punësime të përkohshme, hiqet pozita e “këshilltarit shtetëror", sistematizimi do të mund të realizohet vetëm dy herë në vit, grafat për numrin amë dhe kombësinë do të jetë e pamundur të ndryshohen, ndërsa sekretarët shtetërorë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët do të zgjidhen përmes një procedure të hapur dhe transparente. Këto janë vetëm disa nga risitë për reformat në administratë dhe sektorin publik të paraparë me ndryshimet ligjore që përgatit Qeveria.

Siç tha sonte ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, pesë ligjet për nëpunësit administrativ, për punonjësit në sektorin publik, për shërbimet e larta drejtuese, për ASHMAA dhe për agjencinë digjitale, tashmë janë në procedurë qeveritare dhe pritet shumë shpejt të dërgohen në Kuvend. Të gjithë ato janë me flamur evropian.

"Jemi këtu për të krijuar një kornizë ligjore kompatibile me vlerat evropiane. Vlerësoj se duhet të krijojmë ligje sipas vlerave të BE-së dhe jo të kalkulojmë sa vota do të humbim. Për shtatë muaj këto ligje të cilat prej vitesh nuk u realizuan, janë drejt përfundimit. Pritet që ligjet këto ditë të votohen në seancë qeveritare. Pres që deri më 2 nëntor, kur të jetë seanca parlamentare, të përfundojnë procedurat qeveritare dhe ligjet të vendosen në seancën e Kuvendit", tha Aliu gjatë pjesëmarrjes në "Top Tema" duke shpjeguar disa nga risitë e parashikuara sipas ligjeve.

"Qëllimi i ligjit për shërbimet e larta udhëheqëse është krijimi i një modeli të bazuar në parimet e racionalitetit, demokracisë dhe transparencës. Ideja është që ligji të kufizohet tek sekretarët shtetëror në ministri, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët. Nuk do të përfshihen vetëqeverisja lokale dhe institucionet nën juridiksionin e Kuvendit. “Sekretarët shtetëror”, “drejtorët” dhe “zëvendësdrejtorët” duhet të jenë poste profesionale dhe nëse personi do të jetë apo jo me ngjyrë politike, kjo edhe në BE nuk është temë diskutimi. Është e rëndësishme që profili të jetë në përputhje me vendin e punës dhe procedurat të jenë të hapura dhe transparente. Shpresojmë që kështu të arrijmë në profesionalizimin e administratës publike. Jam i sigurt se në këtë mënyrë do të vijmë në pozicione, deri në atë- profili i drejtorit të jetë konform me kërkesat dhe përshkrimin e vendit të punës. Ka disa risi në ligjin për të punësuarit në sektorin publik - të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të mund të aplikojnë dhe të marrin provimin e nëpunësit administrativ çdo javë, grafat për numrin amë dhe kombësinë do të jetë e pamundur të ndryshohen nëse një herë vendosen që të eliminohen keqpërdorimet. Në pozitat drejtuese nuk do të ketë më mundësi punësimi në kohë të caktuar ose punësim nëpërmjet agjencive për punësim të përkohshëm, kjo do të ndalohet. Risi është edhe fakti që sistematizimi do të bëhet vetëm dy herë në vit në llogari të rritjes së përqindjes, tani është maksimumi 10, ndërsa do të jetë deri në 50 për qind", shpjegon ministri.

Pika të rëndësishme në ligjin për nëpunësit administrativë janë se do të ketë një shtesë të pagës për nëpunësit që janë të rëndësishëm për institucionin, domethënë udhëheqësi mund për dhjetë deri në 30 për qind një herë ose në kontinuitet t’ia rrisë pagën të punësuarit, ndërsa parashihet edhe kompensim për IPA strukturat- ata që do të punojnë në projekte evropiane do të mund të marrin kompensim në pagë prej 15 - 45 për qind.

“Do të ketë edhe ngrirje në vendin e punës këshilltar shtetëror – kur të pensionohet ose dalë në pension ai deri tani, ai vend i punës do të mbyllet, nuk do të ketë më këshilltarë shtetërorë”, thekson Aliu.

Sa i përket reduktimit të administratës dhe racionalizimit, Aliu theksoi se do të varet shumë nga reformat.

"Nëse më pyesni sot se si do të jetë administrata publike në vitin 2030, do të jem joserioz nëse them një numër, ai numër duhet të jetë si rezultat i reformës. Disa pozicione janë të vjetra, do të duhet të krijohen të reja. Janë rreth 1.300 institucione dhe disa prej tyre do të duhet të bashkohen, por procesi kërkon analiza. Disa institucione që duhet të bashkohen janë krijuar me ligje të veçanta, disa ekspertë mendojnë se kufiri i llogaridhënies është pengesë – nuk dihet se kush krijon politika dhe kush i zbaton ato. Për momentin, ato institucione ose përputhen me njëra-tjetrën ose i japin llogari një institucioni tjetër", nënvizon Aliu.

Tre ministritë që janë pilot për ligjin për riorganizimin e administratës, informoi ai, “janë drejt fundit të analizës funksionale”.

foto: print skrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR