• e hënë, 23 dhjetor 2024

Aliti: Edhe kur BE-ja reagon negativisht për ndryshimet në Kodin Penal, qeveria manipulon me arsyetimin se ato janë të nevojshme për reformën në drejtësi

Aliti: Edhe kur BE-ja reagon negativisht për ndryshimet në Kodin Penal, qeveria manipulon me arsyetimin se ato janë të nevojshme për reformën në drejtësi

Shkup, 23 shtator 2023 (MIA) - Admirim Aliti, nënkryetar i Alternativës në emër të opozitës shqiptare të përbërë nga partitë politike - Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa në konferencën e sotme për shtyp para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, theksoi se mbështesin pikëpamjet e Unionit se është keqpërdorur flamuri evropian gjatë miratimi të Kodit Penal.

"Tashmë nuk është aspak e nevojshme të komentojmë e të shpjegojmë ne për të konstatuar se kush po e keqpërdor “Europën”. Është vetë ambasadori i BE-së ai që ka deklaruar se Komisioni Evropian ka reaguar për përdorimin e flamurit të BE-së për ndryshimet në Kodin Penal dhe se BE-ja e konsideron të papërshtatshme këtë, duke shpjeguar se kjo është një çështje që kërkon diskutim, aq më shumë që këto ndryshime janë rrezik për shtetin e së drejtës përderisa e hapin rrugën e rritjes së mosndëshkimit.
Megjithatë, si kundërpërgjigje për Brukselin, është deklarata e Ali Ahmetit para disa ditëve kur tha se “edhe Brukseli edhe Uashingtoni, kur të hyjnë në analizë më të thellë, do t’i kuptojnë arsyet. Jemi në proces screening-u dhe ndryshimet në drejtësi janë një prioritet”. Kjo përgjigje e tij jo vetëm që e fyen inteligjencën e qytetarëve dhe inteligjencën e Komisionit Evropian, por zbulon se keqpërdorimi është bërë kryefjala i këtij subjekti", tha Aliti.

Ai theksoi se aspak nuk janë të befasuar nga fakti se është keqpërdorur flamuri Evropian, sepse, siç tha, tashmë janë mësuar që të keqpërdoren flamujt në realizimin e qëllimeve të tyre.

Aliti theksoi se edhe kur BE-ja reagon negativisht për ndryshimet në Kodin Penal, qeveria manipulon me arsyetimin se ato janë të nevojshme për reformat në drejtësi.

"Kjo ndodh për dekada me radhë. Ata e keqpërdorën flamurin shqiptar për të manipuluar me shqiptarët se e duan interesin e tyre, siç ishte edhe manipulimi me idenë e kryeministrit shqiptar, që tash të deklarojnë se ka mbaruar koha e patriotizmit, për të kaluar pastaj në ndryshimet në Kodin Penal, me arsyetimin sepse kjo qenka e nevojshme për reformat në drejtësi dhe kjo është ajo që BE-ja e kërkon nga ne", tha ai.

E tash kur edhe vetë BE-ja ka reaguar negativisht ndaj këtij ndryshimi, ata përsëri dalin të manipulojnë duke thënë se “mos u shqetësoni, sepse BE-ja e SHBA-ja nuk e kanë kuptuar mirë arsyen e atij ndryshimi në Kodin Penal dhe nuk e dinë sa i rëndësishëm është ky ndryshim”. ls/

Foto: Alternativa

 

QËNDRONI TË LIDHUR