• e premte, 21 shkurt 2025

Aktivitetet e kryeministrit Mickoski në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Aktivitetet e kryeministrit Mickoski në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Shkup, 15 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili e udhëheq delegacionin qeveritar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, pritet gjatë kohës së forumit të takohet me kryesuesin e Konferencës së Mynihut, ambasadorin Kristof Hojgens, me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, si dhe me liderë të tjerë politikë.

Siç kumtuan nga shërbimi për shtyp i qeverisë, kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Mickoski, do të jetë folës dhe do të marrë pjesë në ngjarjen përfundimtare të përmbylljes së konferencës kushtuar negociatave për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe në panel diskutimin e Forin Polisi, ku do të flasë për gjeopolitikën, sigurinë energjetike dhe rolin në ndryshimet në nivel global.

"Mickoski do ta shfrytëzojë rastin për të lobuar dhe për të prezantuar pasqyrën reale të negociatave për anëtarësim të vendit në aspektin e perspektivës evropiane, si dhe planin për zhvillim dhe arritje ekonomike si pjesë e përpjekjeve për përparim ekonomik dhe siguri të qytetarëve", shtohet në kumtesën nga qeveria.

Kryeministri Mickoski dje në Mynih u takua me kryetarin e Këshillit Evropian Antonio Koshta, me të cilin biseduan për integrimet evropiane, për përpjekjet dhe koncesionet që janë bërë në këtë drejtim, si dhe për nevojën për hapjen e dyerve për në BE.

Siç njoftojnë nga Qeveria, Mickoski ka theksuar se vendi meriton të ecë përpara dhe përfundimisht të mos mbetet peng i mosmarrëveshjeve dhe pengesave bilaterale, të cilat në të kaluarën ka pasur shumë.

Në delegacionin qeveritar të kryesuar nga kryeministri Mickoski janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani.

Në konferencën e 61-të e Mynihut, që zhvillohet nga 14 deri më 16 shkurt do të mundësohet një dialog i nivelit të lartë mbi sfidat kryesore të jashtme dhe të sigurisë që janë çështje aktuale për liderët politikë. Në konferencë marrin pjesë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, nënpresidenti amerikan Xhej Di Vans dhe sekretari shtetëror Marko Rubio. ls/ 

Foto: Qeveri

 

 

 

 


З

QËNDRONI TË LIDHUR