• e martë, 26 nëntor 2024

Ahmeti në Likovë dhe Kumanovë: BE-ja është alternativa e vetme

Ahmeti në Likovë dhe Kumanovë: BE-ja është alternativa e vetme

Shkup, 4 maj 2024 (MIA)- Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pasditen e sotme së bashku me kandidatët për deputet të zonës 1 dhe 2 kanë zhvilluar takime me banorët e komunës së Likovës dhe Kumanovës. Arkitekti i Frontit Evropian nga Likova tha se vendit i duhet stabilitet, siguri, vendi duhet të jetë i anëtarësuar në Bashkimin Evropian për të rritur cilësinë e jetës, cilësinë e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, jetës sportive dhe cilësia rritet dhe shteti përparon e begaton duke qenë pjesëtarë dhe anëtarë i plotfuqishëm i BE.

“Më 8 maj është referendum, vendoset a do të ecim përpara apo do të qëndrojmë në vendnumëro, apo do të dëgjohen zërat për kthim pas. Fronti Evropian e ka një mision, misioni është anëtarësimi i vendit në BE, përmbushja e standardeve që duhet janë detyrë, angazhim i vendit tonë që këto standarde  të zbatohen e të materializohen. Me anëtarësim në BE, sigurisht që ne bëjmë hap të fortë në drejtim të rritjes së cilësisë në arsim, shëndetësi, kulturë, sport e infrastrukturë, në kuadër të këtij misioni është edhe korridori 8. Korridori 8 është fshehur nëpër sirtarë të çeliktë 32 vite sa që ishte lodhur e ishte zverdhur duke pritur, pse, sepse ky korridor lidh Shkupin me Tiranën, Shkupin me Prishtinën, Shkupin me Stambollin, lidh dy brigje, bregun e Detit të Zi me bregun e Adriatikut po bën lidhje ndërkontinentale Evropë Azi. Dhe këtu përfitojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, po ç’faj kemi ne që ky korridor bie në hapësirat shqiptare, dhe kjo nuk është Shqipëria e Madhe , sepse ne Shqipërinë në proces e kemi me heqjen e kufijve në mes Francës dhe Gjermanisë a ka shembull tjetër përveç atit tonit këtu që kufijtë i kemi larë me gjak nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Ku qëndron arsyeja që Gjermania dhe Franca të heqin kufijtë që u vranë 14 mijë francez që i mobilizoi Luigji i 14 ku është arsyeja të qëndrojnë kufijtë mes Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi, dhe ky moment duhet të ndodh dhe këtë moment të gjithë duhet ta mirëpresim dhe ta ndihmojmë sepse ky moment ndodh duke e anëtarësuar vendin në BE. Kjo platforma e vizioni i këtij Fronti, a do të mbesim në tregun e 2 milionëve, apo në tregun e 500 milionëve. Neve na intereson një treg prej 500 milionë banorësh, na intereson sundimi i ligjit. Ne para 4 vitesh kemi propozuar veting për çdo funksionar, 4 vjet po i bën që zverdhet në arkivat e parlamentit dhe nuk mbështetet as nga LSDM as nga VMRO-DPMNE”, theksoi Ahmeti.

Sadulla Duraku kujtoi kohërat e hershme ku po në atë sallë janë bërë plane se si shqiptarëve t’u ndalet arsimi dhe po në atë sallë janë diskriminuar shqiptarët.

“Kjo sallë me kujton shumë ngjarje jo të mira për popullin tim, edhe këtu kur na nxorët para, në vitin 1987-88, me të cilën janë prezent këtu një pjesë e madhe e profesorëve, këtu janë diskriminuar shqiptarët, këtu janë sakatos motrat tona dhe vëllezërit tanë, këtu janë mbyllë edhe shkollat në gjuhën shqipe, aman kot e kanë pasur ata sot kemi universitetin. Fronti Evropian ka programin e vet politik, ka rrugëtimin e vet politik dhe ju them që të keni besim te udhëheqja dhe te lista e zonës 2. Më 8 maj, po të njëjtën gjë që na jepni amanetin tuaj, votën tuaj ne do ta ruajmë si sytë e ballit, nuk ju kemi zhgënjyer dhe nuk do t’ju zhgënjejmë edhe më tutje”, tha Duraku.

Ilir Hasani para të pranishmëve theksoi se vendi për momentin është në një udhëkryq jetësor e sidomos për shqiptarët por edhe rajoni sepse duhet të vendoset se cilën anë do të marrim, anën e Evropës apo anën e Rusisë.

“Jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm jetësor për shqiptarët në RMV por edhe në rajon a do ja marrim anën Evropës apo Rusisë. E di se dëshira jonë, vullneti jonë dhe amaneti i të parëve tonë të kthehemi ka perëndimi dhe ka Evropa, por sot jemi të gjithë këtu prezent në këtë vend dhe në këtë kohë si dëshmitar të historisë që po ndodh për t’u orientuar dhe për t’i ndihmuar shtetit tonë të shkojë ka Evropa. Ky Front të cilën e ka formuar prijësi jonë Ali Ahmeti, Fronti Evropian nuk është bërë për një përdorim ashtu sikurse mblidhen të tjerët kundër një kauze e cila është afatgjate, nuk është vetëm për një përdorim ky Front”, u shpreh Hasani.

Elmi Aziri tha se Fronti Evropian ka mbështetje të madhe në të gjithë vendin dhe kjo dëshmon se populli është përpara dhe shtoi se këtë bashkim në Frontin Evropian duhet ta bëjmë të përjetshëm.

“Mbështetjen e kemi gjithandej në të gjithë Maqedoninë e Veriut, dhe kjo dëshmon se populli është përpara, dhe ne të gjithë së bashku duhet të punojmë dhe këtë bashkim ta bëjmë të përjetshëm për t’i jetësuar interesat, synimet dhe objektivat e shqiptarëve”, nënvizoi Aziri.

Koordinatori i zonës së Kumanovës, Arbër Ademi dërgoi porosi të qartë deri te oponentët VMRO-DPMNE se goditjet e vazhdueshme që i bëhen BDI-së dhe Frontit Evropian, nuk janë hakëmarrje për Ali Ahmetin, por është hakmarrje pikërisht për shqiptarët për ata që e bënë vitin 2001.

“Besoj se të gjithëve ju kujtohet se si filluan, filluan si ithtar të Arbër Xhaferit, vazhduan si simpatizant të

Vetëvendosjes e përfunduan si argat të Mickoskit. Po e shihni që në ditën e parë pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale me një dallim prej 40 mijë votash, pikërisht Arben Taravari si kryetar Fejsbuku është shënoi se edhe Mickoski me ofertën e tij e ka parë se ku qëndron pesha e votës shqiptare, ndërsa në të gjitha komunat shqiptare ai humbi. Atë çka s’ja dha populli ai tenton ta merr nga Mickoski. Mirëpo jo qytetarët folën, qytetarët e thanë fjalën e vet, megjithëse ai dhe shokët e tij mund të thonë se nuk na duhet vota e shqiptarëve, nuk na duhet vota e qytetarëve me rëndësi është se na ka qejf Mickoski. Dhe edhe për këtë që i ka qejf Mickoski e thonë vetë”, shtoi Ademi.

Ndërkohë që pas takimit me qytetarët në Hasanbeg, Ahmeti vazhdoi takimet në Haraçinë. Para qytetarëve, kryetari i BDI, tha se jo rastësisht e kemi quajtur Front Evropian sepse vërtetë janë të grumbulluara forca politike që pa hezitim na përfaqësojnë drejtë dhe me profesionalizëm.

“Tani më 8 maj është rrethi i dytë për president dhe votimi për parlament, Fronti ka bërë analizë substanciale mbi zhvillimet politike në vend dhe vlerësoi që ne në rrethin e dytë në zgjedhjet presidenciale nuk kemi prandaj qytetarët do të vendosin se si do të përcaktohen më 8 maj për presidentin, kurse sa u takon zgjedhjeve parlamentare më 8 maj, nuk ka zgjedhje po ka referendum dhe me këtë duhet të fitojnë forcat mirë të organizuara, të shkolluara në të gjitha fushat e drejtimit e të përfaqësimit të shtetit. Shteti e drejtimi i tij nuk janë një fabulë por duhen kuadro shtetndërtuese dhe paqebërëse që dinë të menaxhojnë dhe drejtojnë me dikastere të rëndësishme si në ekonomi, financa, politikë të jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë, këto kuadro janë investim kombëtar dhe janë në Frontin Evropian, jo rastësisht e kemi quajtur Front Evropian sepse vërtetë janë të grumbulluara forca politike që pa hezitim na përfaqësojnë drejtë dhe me profesionalizëm. Ka dy vite që kjo iniciativë është marrë për ndërtimin e Frontit, sepse është parë si domosdoshmëri dhe pikërisht momentin e duhur ky Front dhe është bë më program dhe plan e platformë jo vetëm për katër vjet por me një plan më afatgjatë për një dekadë sepse jemi bë bashkë për një qëllim, avancimin e MO, respektimin e asaj të Prespës dhe jetësimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë sepse nuk është një dokument i thjeshtë. Askujt nuk i pëlqen uniteti i shqiptarëve, sepse ne përballë kemi VMRO, ne vëllezër i kemi të gjithë shqiptarët. Më 8 maj në referendum të dalim familjarisht se ky vend ka nevojë për më shumë paqe dhe stabilitet”, nënvizon Ahmeti.

 

QËNDRONI TË LIDHUR