• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ahmeti: Le të bëjmë një front që të hyjmë në Bashkimin Evropian

Ahmeti: Le të bëjmë një front që të hyjmë në Bashkimin Evropian

Tetovë, 23 janar 2023 (MIA) – Bashkimi Demokratik për Integrim që sonte ka filluar me serinë e tribunave informative me qytetarët në rajonin e Tetovës nën moton “Bashkë për në Evropë”. I pari u mbajt në Tetovë ndërsa që nesër pasojnë edhe në vendbanimet rurale të rajonit të Tetovës.

Funksionarë të BDI-së të cilët janë pjesë e pushtetit ekzekutiv folën për projektet infrastrukturore, ndërsa kryetari i partisë Ali Ahmeti foli për qëllimet kryesore politike.

“Për momentin Maqedonia e Veriut ndodhet në dhomën e pritjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Le të bëjmë një front për të kaluar nga dhoma e pritjes në dhomën e BE-së. Ky mision është aq i rëndësishëm për të mirën tonë, të qytetarëve, shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve që jetojnë në këto hapësira. Ky front mund të përshpejtohet me ndryshime kushtetuese. Ky front nuk duhet të funksionojë vetëm tek ne shqiptarët por edhe tek bashkëqytetarët tanë maqedonas. Le ta lehtësojmë dhe shkurtojmë rrugën”, potencoi Ahmeti.

Lideri i partisë para qytetarëve dhe anëtarëve të partisë e potencoi, siç tha, rëndësinë e projektit Korridori 8-të, por edhe shpjegoi se pse po vonon realizimi. Ai tha se nuk ka heqje dore nga ky projekt.

“Nuk ishte për shkak të dobësisë së ekzekutivit, Korridori 8 mundi të fillonte funksionimin më 13 gusht të vitit të kaluar, por ishte një firmë e infiltruar që mbikëqyrte gjërat, një kompani ruse e kamufluar përmes kroatëve. Na u deshën gjashtë muaj, por nuk morën të drejtën për të mbikëqyrur gjërat, sepse nuk i kishin dy milionë euro për të paguar garancinë bankare dhe u zbulua se kishte një llogari të bllokuar. E gjithë situata tashmë është duke vijuar dhe është vetëm çështje kohe se kur do të fillojë. Ndërtimi i Korridorit 8 fillon nga Tetovë-Gostivari-Zajazi dhe vazhdon deri në Qafthanë, si dhe Prilep-Manastir. Një projekt shumë i madh prej 1 miliard e 300 milionë eurosh”, potencoi Ahmeti.

Për oponentët politikë porositi se për 20 vite, janë regjistruar dhe ç’regjistruar 14 parti, ndërsa BDI-në asnjëra nuk ka arritur ta mundë. Funksionarët partiakë, anëtarë të Qeverisë iu përgjigjën pyetjeve për Konviktin studentor, pikën filtruese për ujërat e zeza dhe për projekte të tjera në Tetovë. as/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR