Aeroplani i "Azerbejxhan erlajns" është goditur nga raketa ruse tokë-ajër
- Përfaqësues anonimë të Qeverisë së Azerbajxhanit sot për "Euronjuz" (Euronews) deklaruan se aeroplani me udhëtarë i "Azerbaijan erlajns", që u rrëzua dje në afërsi të qytetit të Kazakistanit Aktau, u godit nga një raketë ruse tokë-ajër.
- Post By Fami Bajrami
- 15:46, 26 dhjetor, 2024
Baku, 26 dhjetor 2024 (MIA) - Përfaqësues anonimë të Qeverisë së Azerbajxhanit sot për "Euronjuz" (Euronews) deklaruan se aeroplani me udhëtarë i "Azerbaijan erlajns", që u rrëzua dje në afërsi të qytetit të Kazakistanit Aktau, u godit nga një raketë ruse tokë-ajër.
Raketa ruse u qëllua për shkak të dronëve mbi kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni, ndërsa copëzat goditën udhëtarët dhe ekuipazhin pasi shpërthyen pranë aeroplanit.
Gjithashtu ata pohojnë se aeroplani i dëmtuar nuk u lejua të ulet në asnjë aeroport rus edhe pse pilotët kërkuan një ulje emergjente. Pilotët u urdhëruan të fluturonin mbi Detin Kaspik dhe të uleshin në Aktau.
Të dhënat nga sistemet e navigimit nga GPS-ja e aeroplanit u bllokuan gjatë gjithë fluturimit mbi Detin Kaspik.
Burimet ruse theksojnë se forcat ruse të mbrojtjes ajrore po përpiqeshin aktivisht të rrëzonin dronët ukrainas në kohën kur aeroplani i "Azerbajxhan erlajns" po fluturonte mbi territorin e Çeçenisë.
Nëse konfirmohet se aeroplani i "Azerbejxhan erlajns" u godit nga raketa ruse, do të ishte incidenti i dytë i tillë në dekadën e fundit. Më 17 korrik të vitit 2014 një aeroplan i "Malezija erlajns" i cili fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur mbi Ukrainën lindore u godit nga një raketë e lëshuar nga rebelët pro-rusë. Të gjithë 298 udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën, ndërsa numri më i madh i viktimave ishin nga Holanda.
Gjatë rrëzimit të aeroplanit të “Azerbejxhan erlajns", jetën humbën 37 persona, ndërsa 29 kanë mbijetuar. Mes viktimave ka edhe rusë, si dhe shtetas të vendeve fqinje.
Më herët, drejtori i Qendrës Ukrainase për Luftimin e Dezinformimit, Andrij Kovalenko në Telegram publikoi se aeroplani i udhëtarëve u godit nga mbrojtja kundërajrore ruse.
Ai dërgoi kritika drejt Rusisë për shkak të asaj që nuk është mbyllur hapësira ajrore mbi kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni, gjë që mund të kishte parandaluar tragjedinë.
"Aeroplani u dëmtua nga rusët dhe u orientua në Kazakistan në vend që të ulej menjëherë në Grozni dhe në këtë mënyrë të shpëtonte jetë", shtoi Kovalenko. rq/
Foto: EPA