• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ademi: Po bëhet marrëveshje politike që t'i merren dy mandate të deputetëve Frontit Evropian

Ademi: Po bëhet marrëveshje politike që t'i merren dy mandate të deputetëve Frontit Evropian

Shkup, 11 maj 2024 (MIA) - Koalicioni Fronti Evropian, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim kumtoi se me ankesat e parashtruara deri te KSHZ-ja nga partitë tjera politike për parregullsi në vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, bëhet tentim që t'u merren dy mandate të deputetëve.

Shefi i shtabit zgjedhor të Frontit Evropian, Arbër Ademi në konferencë për shtyp pasdite tha se ekzistojnë tentime serioze që me dil politik, me marrëveshje politike të ketë inxhinieri zgjedhor, të minohet demokracia dhe vullneti i lirë i qytetarëve dhe legjitimitetit.

"Partitë tjera poliitke në bazë të dilit dhe marrëveshjes joparimore politike dhe duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve, në mënyrë të orkestruar kanë parashtruar ankesa për vendvotime në Njësinë e Pestë dhe të Gjashtë zgjedhore, edhe pse nuk u konstatua asnjë parregullsi derisa ka zgjatur procesi zgjedhor dhe pas përfundimit të tij. E se kjo është kështu, janë nënshkrimet e të gjithë anëtarëve të këshillave zgjedhore, të propozuar nga vet partitë politike, të cilat sot dhe këto ditë kanë parashtruar ankesa. Qëllimi është i qartë - dëshirojnë që Frontit Evropian t'ia marrin dy mandate të deputetëve, edhe pse ato janë rezultat i vullnetit të pastër të qytetarëve dhe të shprehjes së lirë të tyre", deklaroi Ademi.

Argumente për këtë, tha, janë se nuk ka pasur vërejtje për parregullsi në procesverbalet e nënshkruara nga të gjithë anëtarët e këshillave derisa ka zgjatur procesi zgjedhor dhe pas përfundimit të tij. Ankesat kanë të bëjnë vetëm për Zgjedhjet parlamentare, e jo edhe për presidenciale, edhe pse, siç tha, kanë të bëjnë për vendvotimet e njëjta. Argumenti i tretë, theksoi Ademi, është se ankesat kanë të bëjnë për ato vendvotime, ku parashtruesi ka fituar më shumë vota.

"Nga aeroplani mund të shihet se cila është tendenca për keqpërdorimin e vullnetit të popullit. Për shembull në Zhelinë, në vendvotimin 2101 - për VLEN kanë votuar 332 votues, për Frontin Evropian 134. Ky vendvotim është fshati prej ku vjen kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Me ankesën, vet ata e kontestojnë rezultatin ku ata kanë më tepër vota. Shembulli i dytë është në NJZ5, ku kontestohen vendvotimet ku nuk ka vota të Frontit Evropian, por ku bindshëm më shumë vota ka VMRO-DPMNE. Për shembull, në vendvotimin 1295 në Ohër, VMRO-DPMNE-ja ka 409 vota, LSDM-ja ka 103, Fronti Evropian 0. Cili është qëllimi? Nëse po përgatitet transfer i votave nga njëri opsion në opsionin tjetër vetëm që Fronti Evropian të ketë një mandat më pak në Njësinë e Pestë zgjedhore?", pyet Ademi.

Ai apeloi deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve se ka përgjegjësi për çdo vendim të tyre për mbrojtjen e shprehjes së lirë të votuesve dhe për votat demokratike të qytetarëve. Për ato, siç tha, skenare të errëta për inxhinieri zgjedhore, që janë vepër penale, e kanë informuar bashkësinë ndërkombëtare, respektivisht SHBA-në dhe BE-në, OSBE-në dhe ODIHR-në. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR