• e martë, 26 nëntor 2024

Ademi në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve për Çështje Evropiane të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian - KOSAK

Ademi në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve për Çështje Evropiane të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian - KOSAK

Shkup, 18 shtator 2023 (MIA) - Në kuadër të presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane të Shteteve Anëtare të BE-së - KOSAK, e cila u mbajt dje dhe sot në Madrid të Mbretërisë së Spanjës.

Siç informon shërbimi për shtyp i Komisionit Kuvendor për Çështjet Evropiane, konferencën e hapi me fjalën përshëndetëse kryetari i Senatit, Pedro Roland Oheda, i cili duke iu referuar prioriteteve spanjolle theksoi se Spanja merr presidencën në gjysmën e dytë të vitit 2023, në një periudhë sfidash të mëdha për shtetet anëtare dhe për Bashkimin Evropian në tërësi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit, Hoze Manuel Albarez Bueno dhe zëvendëkryetari i Parë i Parlamentit Evropian, Otmar Karas, prezantuan prioritetet e Presidencës spanjolle - ri-industrializimin e BE-së, arritjen e progresit në tranzicionin ekologjik, drejtësinë sociale dhe ekonomike dhe forcimin e unitetit evropian. Në të njëjtën kohë, ata theksuan se agresioni rus kërcënon sigurinë e Evropës dhe ka pasoja të rënda në ekonominë evropiane.

Në Konferencë u theksua se këto prioritete nënkuptojnë se Presidenca spanjolle do të punojë për të reduktuar varësinë e tepruar të BE-së nga vendet e treta në fusha të tilla si energjia, shëndetësia, teknologjitë digjitale dhe ushqimi dhe do të promovojë zhvillimin e industrive dhe teknologjive strategjike në Evropë dhe me strategji të përbashkët për të garantuar sigurinë ekonomike të BE-së.

U theksua se Spanja do të fokusohet në reformën e tregut të energjisë elektrike dhe më shumë burime të rinovueshme. Në këtë drejtim, të zvogëlohet varësia nga energjia dhe lëndët e para, të ulen faturat e energjisë, të rritet konkurrueshmëria dhe të hapen vende pune. Përkatësisht, gjatë mandatit të saj gjashtëmujor, presidenca spanjolle do të përpiqet të forcojë unitetin evropian, me mbështetje të koordinuar për Ukrainën nën parimet e unitetit dhe solidaritetit.

Në lidhje me zgjerimin, deputeti Arbër Ademi theksoi rëndësinë e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, si një proces i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është i domosdoshëm për stabilitetin në rajon. Duke vepruar kështu, ai theksoi se anëtarësimi në BE është një motiv dhe shtytës i fortë i reformave evropiane në të gjitha fushat e rajonit.

Në fjalimin e tij, siç citohet në kumtesë, Ademi ka theksuar se Spanja e ndërmerr kryesimin me Këshillin e Bashkimit Evropian në kohë jashtëzakonisht të rëndësishme për  shtetet anëtare të BE-së, por edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke iu kthyer procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Ademi informoi për hapat e rëndësishëm  që i ndërmerr Republika e Maqedonisë së Veriut  kohëve të fundit, për të vazhduar rrugën evropiane.

Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe që është një nga vendimet në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, Ademi theksoi se duhet të jetë një çështje mbikombëtare dhe mbipolitike që do të mundësojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e gjeneratave të tanishme dhe atyre të ardhshme të vendit. Ai theksoi se si vend jemi plotësisht të përkushtuar në zbatimin e prioritetit tonë strategjik, anëtarësimit në BE. sa/

Foto: Komisioni për Çështje Evropiane - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR