• e premte, 05 dhjetor 2025

Ademi: Fituesi real i këtyre zgjedhjeve lokale është VMRO-DPMNE, Kongresi i BDI-së do të mbahet deri më 20 dhjetor

Ademi: Fituesi real i këtyre zgjedhjeve lokale është VMRO-DPMNE, Kongresi i BDI-së do të mbahet deri më 20 dhjetor

 Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Nënkryetari dhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi në konferencën e sotme për shtyp theksoi se fituesi real i këtyre zgjedhjeve lokale është VMRO-DPMNE-ja.

"Sot, mbi bazë të kësaj analize të detajuar, duam të ndajmë me publikun një konstatim të qartë, të faktuar dhe të pakontestueshëm - fitorja në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë shqiptare i takon VMRO-DPMNE-së. Të gjitha të dhënat dëshmojnë se rezultati për kryetarë komunash në Tetovë, Strugë, Dibër, Çair, Saraj, Kërçovë, Bërvenicë dhe në një sërë komunash të tjera me shumicë shqiptare, është produkt i votës masive të VMRO-DPMNE-së në favor të kandidatëve të tyre dhe të VLEN-it. Prandaj, në mënyrën më korrekte dhe më transparente, e urojmë VMRO-DPMNE-në për këtë rezultat zgjedhor, sepse realisht ajo është fituese në këto komuna.  Kjo nuk është retorikë politike. Kjo është matematikë zgjedhore dhe një fakt që mund të verifikohet në çdo vendvotim. Prandaj, e përsërisim qartë dhe kategorikisht - fituesi real i këtyre zgjedhjeve lokale është VMRO-DPMNE, sepse arriti të marrë nën kontroll një numër të konsiderueshëm komunash me popullsi shumicë shqiptare përmes votave të elektoratit të saj. Ndërsa, VLEN-i i ka shërbyer këtij operacioni elektoral duke dëmtuar rëndë demokracinë dhe organizimin politik të shqiptarëve në vend", tha Ademi.

Ai potencoi se VLEN-i nuk ka arritur të fitojë shumicën e votës shqiptare në asnjë nga këto komuna, as për kryetar, as për këshill. Roli i vetëm i VLEN në këto zgjedhje ka qenë ti shërbejë synimeve të VMRO DPMNE-së. 

"Në të gjitha rastet ku VLEN shënon fitore formale, ajo është arritur vetëm falë votës së organizuar dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të VMRO-DPMNE-së, ndërsa AKI ka fituar votën popullore shqiptare me mbi 23 mijë vota epërsi në nivel të përgjithshëm, VLEN nuk ka fituar shumicën e votës shqiptare në asnjë nga këto komuna. Ata janë vetëm përfitues nga plani i VMRO-DPMNE-së, të cilin shqiptarët e kanë kuptuar tashmë. Ndërkohë, Aleanca Kombëtare për Integrim, edhe pse nuk arriti të fitojë garën për disa pozita të kryetarëve të komunave, ka fituar besimin e shumicës së qytetarëve shqiptarë në nivel vendi", tha ai. 
 
Ademi theksoi se  ky është një mandat moral dhe politik që i detyron si Bashkimi Demokratik për Integrim në Kongresin e dhjetorit, i cili pritet të mbahet deri më 20 dhjetor, të riorganizohen, të rinovojnë strukturat e tyre sipas pritjeve të qytetarëve dhe të forcojnë më tej lidhjen e tyre me qytetarin.

"Ne e pranojmë me përgjegjësi çdo mesazh që na kanë dhënë qytetarët. Dhe pikërisht për këtë të vërtetën do ta themi gjithmonë hapur - VMRO DPMNE ka fituar. Dhe ky është realiteti i dalë nga kutitë e votimit. BDI do të vazhdojë punën me energji të re, me transparencë dhe me përkushtim të plotë ndaj interesit të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit. Faleminderit të gjithëve që na besuan, faleminderit çdo aktivisti, çdo votuesi dhe çdo njeriu që qëndroi me dinjitet në këtë proces. Do të jemi edhe më pranë jush, edhe më të fortë dhe edhe më të përgjegjshëm në mbrojtje të votës dhe të barazisë së qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut", deklaroi nënkryetari i BDI-së, Ademi.

 Foto: Printskrin nga videoja

 

QËNDRONI TË LIDHUR