Sipas ministrit Aliu Aleanca për Shqiptarët është e vetme
- Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga Aleanca për Shqiptarët, të cilin Qeveria e propozoi ta shkarkojë së bashku me bashkëpartiakun e tij, ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka thënë sonte para fillimit të Kuvendit të partisë që po mbahet në Kumanovë, se nuk ka ndarje të Aleancës për Shqiptarët.
- Post By Sara Ademi
- 20:16, 8 shkurt, 2024
Kumanovë, 8 shkurt 2024 (MIA) - Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga Aleanca për Shqiptarët, të cilin Qeveria e propozoi ta shkarkojë së bashku me bashkëpartiakun e tij, ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka thënë sonte para fillimit të Kuvendit të partisë që po mbahet në Kumanovë, se nuk ka ndarje të Aleancës për Shqiptarët.
"Nuk ka ndarje të Aleancës për Shqiptarët, sepse ne jemi Aleanca, të tjerët janë BDI në Aleancën për Shqiptarët, kështu që nuk e di a do të jenë bashkë, apo do të jenë në listë të veçantë nëse do të formojnë një parti të re politike", tha Aliu.
Në sistemin tonë politik, tha Aliu, është hera e parë që një parti politike hyn dhe zhvillon procese politike në një parti tjetër politike.
"Këtu e kam fjalën për BDI-në, e cila vepron dhe krijon përçarje në Aleancën për Shqiptarët, tha Aliu, duke shtuar se sipas tij, sonte në kuvend janë të pranishëm mbi 85 anëtarë.
I pyetur për të komentuar propozimin për shkarkimin e tij, ai tha se ende nuk e ka parë emailin dhe për të parë se kush e kërkon shkarkimin e tij.
"Nesër do të jem në Kuvend, do të mbaj fjalim, ashtu që do të shohim", tha Aliu.
Nesër është caktuar seanca parlamentare për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, të dy nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët përkrahën kryetarin aktual të partisë Arben Taravari, i cili po avokon për një koalicion parazgjedhor me Lidhjen Europiane për Ndryshim. sa/
Foto: MIA dhe Arkivi i MIA-s