"Ëndrra evropiane", premierë në Teatrin e Tetovës
- Teatri i Tetovës sonte prej orës 20:00 do ta japë premierë shfaqjen "Ëndrra evropiane" me tekst të Jeton nezirajt, ndërkaq në regji të Blerta Nezirajt. Rolet kryesore i interpretojnë Arlind Selimi, Burhan Amiti, Jetmir Arifi, Linda Shabani, Merita Limani Mustafa dhe Shkumbin Zeqiri.
- Post By Arta Bunjaku
- 08:18, 22 qershor, 2023
Tetovë, 22 qershor 2023 (MIA) - Teatri i Tetovës sonte prej orës 20:00 do ta japë premierë shfaqjen "Ëndrra evropiane" me tekst të Jeton nezirajt, ndërkaq në regji të Blerta Nezirajt. Rolet kryesore i interpretojnë Arlind Selimi, Burhan Amiti, Jetmir Arifi, Linda Shabani, Merita Limani Mustafa dhe Shkumbin Zeqiri.
"'Ëndrra evropiane' është rrëfim tragjiko-komik për një ëndërr të dështuar. Peri, personazhi i kësaj drame, i udhëhequr nga shpresa për një jetë më të mirë dhe më të lumtur, niset ta kërkojë të ardhmen në 'parajsën' e quajtur Evropë. Ajo që i ndodh këtij të riu gjatë udhëtimit emigrues i zbulon përvojat e shumë të rinjve të dëshëëruar, të cilët çdo vit, të mbushur me shpresë për jetë më ndryshe jashtë kufijve, e braktisin atdheun e tyre. Në atdheun e tyre të ri, ata shpesh ndjehen të maltretuar nga autoritetet, të izoluar dhe të përjashtuar nga shoqëria dhe nostalgjikë për shtëpinë e tyre të të parëve. Kështu, jo rrallë, ëndrra për jetë më të mirë bëhet makth i vërtetë", deklaroi regjisorja Blerta Neziraj.
Shfaqja do të luhet në skenën e madhe në Qendrën për kulturë "Iljo Anteski-Smok", ndërsa nesër (23 qershor) gjithashtu prej orës 20:00, do të jepet reprizë.
Regjisorja Neziraj ka studiuar regji teatri në Universitetin e Prishtinës ndërsa ka magjistruar në Universitetin "Cirili e Metodi" në Shkup. ab/
Foto: Teatri i Tetovës