Çështja e pagës minimale është hapur në KES, deri më tani nuk ka perspektivë për rritje
- – Çështja e pagës minimale prej 500 euro dhe për harmonizimin e pagave të tjera ishte hapur në mbledhjen e Këshillit Ekonomik – Social i cili sot mbajti mbledhje pas pauzës disamujore, por qëndrimi i Qeverisë është se për rritjen e pagës minimale duhet të merren parasysh edhe parametra të tjerë dhe të mos lejohet rritje e inflacionit. Nga LSM shprehën dëshpërim, duke theksuar se paga minimale në vend do të mbetet më e ulët në rajon.
- Post By Fitore Curri
- 15:38, 30 korrik, 2025
Shkup, 30 korrik 2025 (MIA) – Çështja e pagës minimale prej 500 euro dhe për harmonizimin e pagave të tjera ishte hapur në mbledhjen e Këshillit Ekonomik – Social i cili sot mbajti mbledhje pas pauzës disamujore, por qëndrimi i Qeverisë është se për rritjen e pagës minimale duhet të merren parasysh edhe parametra të tjerë dhe të mos lejohet rritje e inflacionit. Nga LSM shprehën dëshpërim, duke theksuar se paga minimale në vend do të mbetet më e ulët në rajon.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi në konferencën për media pas përfundimit të mbledhjes, tha se kjo çështje ishte hapur me kërkesë të Lidhjes së Sindikatave, por se si Qeveri nuk do të sjellin zgjidhje ad hok si qeveria paraprake.
“Ishte kërkuar nga LSM ta fusë si pikë në rend të ditës. Si Qeveri, ne po punojmë për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Nëse sindikatat dhe punëdhënësit arrijnë një marrëveshje, ne do t'i mbështesim ata, nuk mund të mbajmë njërën anë. Pagat janë rritur në administratën publike, në arsim, shëndetësi dhe në polici. Ne nuk do të ndjekim politika si qeveria e mëparshme dhe të sjellim zgjidhje ad hok, duhet të shohim produktivitet dhe nuk mund ta rrisim inflacionin”, tha Durmishi.
Nga Lidhja e Sindikatave shprehën shqetësim duke treguar se nuk ka perspektivë për rritjen e pagës minimale.
“Ajo që dëgjuam është se LSM po kërkon shumë, se punëtorët po kërkojnë shumë. Shqetësuese është se, sikur të ishin të papërgatitur, ata ishin shumë të koordinuar në mbrojtjen e qëndrimit për mosrritjen e pagës minimale”, tha kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, para Qeverisë.
Deri në mes të muajit, siç paralajmëroi, do të kenë mbledhje të organeve më të larta të Sindikatës në të cilat do të vendosin për hapat e ardhshëm, por sipas Trendafillovit, është e vogël periudha kohore deri në shpalljen e zgjedhjeve lokale, deri në të cilën mund të bëhet diçka. Kjo, sipas Trendafillovit, nënkupton se punëtorët në shtet do të mbeten me pagën më të ulët minimale nga të gjitha shtetet në rajon.
Në seancën e sotme të KES ishte prezantuar edhe metodologjia në të cilën do të llogaritet shporta konsumatore. Kjo, sipas ministrit të ekonomisë, nuk nënkupton mohim të shportës sindikaliste e cila, siç tha, është shportë e dëshiruar, ndërsa jo e bazuar në nevojat reale të qytetarëve. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s