Zyrtarizohet grupi parlamentar i "VLEN"-it me nëntë deputetë, i dhjeti pritet t’u bashkohet pas dorëheqjes së Salim Sulejmanit
- “VLEN” sot ka formalizuar grupin e saj parlamentar me nëntë deputetë, ndërsa i dhjeti, siç paralajmëroi në konferencën e sotme për shtyp, koordinatori Bekim Qoku pritet t’u bashkohet pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani i cili gjatë fundjavës u tërhoq nga funksioni si deputet.
- Post By Fami Bajrami
- 12:41, 20 maj, 2025
Shkup, 20 maj 2025 (MIA) - “VLEN” sot ka formalizuar grupin e saj parlamentar me nëntë deputetë, ndërsa i dhjeti, siç paralajmëroi në konferencën e sotme për shtyp, koordinatori Bekim Qoku pritet t’u bashkohet pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani i cili gjatë fundjavës u tërhoq nga funksioni si deputet.
"Sot jemi këtu për të prezantuar grupin parlamentar 'VLEN' i cili për shkak të ngjarjeve tashmë të njohura për opinionin, kërkoi rikonfirmim dhe sqarim se si do të vazhdojë si grup parlamentar. Jemi këtu për t'ju njoftuar zyrtarisht se deri më sot grupi parlamentar i VLEN-it numëron nëntë anëtarë, ndërsa në ditët në vijim besoj se do të na bashkohet anëtari i dhjetë, pastaj i njëmbëdhjeti, pse jo i 14-ti dhe praktikisht me dhjetë anëtarë ne jemi grupi më i madh parlamentar në taborin shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Deputetët që marrin pjesë në këtë grup janë Afrim Gashi, koordinatori i grupit parlamentar Bekim Qoku, Adnan Azizi, Merita Kolçi Koxhaxhiku, Imërlije Saliu Fetai, Saranda Imeri Stafai, Bekim Sali, Kaltrina Beqiri dhe Feride Haxhiu", ka thënë Qoku.
Ai tha se e kanë informuar edhe kryetarin e Kuvendit për anëtarët e këtij grupi dhe kanë kërkuar që rikonfigurimi i ri i grupit parlamentar të reflektohet edhe në trupat punues përkatës të Kuvendit. Ai pret që ky detyrim të përmbushet ditëve në vijim.
"Shfrytëzoj rastin t'u drejtohem atyre 107 mijë votuesve që votuan për koalicionin VLEN se ne deputetët e pranishëm këtu, vazhdojmë t'i qëndrojmë lojal marrëveshjes që lidhëm me ta më 8 maj 2024 dhe se jemi konsekuentë dhe të palëkundur ndaj përcaktimeve programore dhe premtimeve zgjedhore me të cilat na autorizuan të jemi përfaqësuesit e tyre dhe përfaqësuesit e popullit", tha Qoku.
Ai u bëri thirrje deputetëve të tjerë shqiptarë, veçanërisht kolegëve që morën mandatin nën koalicionin VLEN që t'i bashkohen këtij grupi në siç tha ai, "këto kohë vendimtare për vendin për ta realizuar mandatin deri në fund ndaj atyre qytetarëve që u dhanë besimin e tyre nën sloganin ‘Ndryshimet vlejnë’".
"Deputeti si përfaqësues është institucion më vete dhe për këtë arsye ka autonomi për të marrë vendime. VLEN vazhdon edhe më fuqishëm dhe më e bashkuar, qytetari shqiptar urren përçarjet dhe dëshiron unitet. Zgjedhjet lokale në vjeshtë do të jenë dëshmi se ishim dhe jemi të drejtë dhe se atë që bëmë vërtet ia vlente", ka thënë Qoku.
Ai theksoi se deputeti i dhjetë pritet të zyrtarizohet dhe t’i takojë grupit të tyre parlamentar pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani.
Ai informoi se po zhvillojnë bisedime me të gjithë deputetët, veçanërisht me ata që ishin në grupin parlamentar të VLEN-it, pra deputetët nga krahu i Aleancës së Shqiptarëve të Arben Taravarit. Ai tha se me ta kanë një marrëdhënie kolegjiale dhe miqësore. Siç tha ai, as ata vetë nuk e dinë se çfarë po ndodh me vetë partinë.
Qoku theksoi se nuk pret që ky ndryshim dhe organizim i trupave punuese të ndikojë në Badenterin, sepse, siç tha ai, “deputetë jo shumicë ka në të gjitha partitë parlamentare”.
Foto: MIA